Nga: Antonio Shkami/

Me sa merret vesh prej mbledhjes së Kryesisë së PS që doli nga Asambleja e përgjithshme e mbledhur para dy ditësh, Partia Socialiste ka bërë thirrje për ‘aksionin’ e zgjedhjeve në Parti.

“Duhet të bëjmë zgjedhjet në Parti, se ka kaluar afati”, citohet të ketë thënë kryetari i PS dhe kryeministër, Edi Rama.

Media ka krijuar një mjegull paqartësie rreth kësaj fushate, duke thënë se ‘ndoshta bëhet fjalë vetëm për zgjedhjet në rajone”. Në fakt nuk ka asnjë dyshim se zgjedhjet do të zhvillohen në gjithë piramidën e PS.

Fraza e lëshuar nga zoti Rama se ‘ka kaluar koha’ ka lidhje të drejtpërdrejtë me një realitet në PS. Dega e PS Tiranë ka mbetur pa kryetar pasi Saimir Tahiri, ish ministër është vënë nën hetim për bashkëpunim dhe pjesëmarrje në bandat kriminale të trafikut të drogës dhe armëve. Tirana, për PS, mban peshë shumë të madhe elektorale.

Gjithashtu edhe në qarqe disa nga degët e PS nuk kanë arritur rezultatin e dëshiruar në zgjedhjet e kaluara si dhe kanë probleme me qeverisjen lokale të bashkive. Ndryshimi i lidershipit të tyre, me sa duket tani ndjehet si domosdoshmëri në PS.

Por a do të zgjidhet Edi Rama në krye të PS? Shanset janë se po; aq më tepër që janë eliminuar ‘armiqtë’ si  Blushi, Hafizi, Kokëdhima, etj.

Por a do të kandidojë Rama për kryetar Partie? Kjo nuk është një pyetje pa baza. Edi Rama, kryeministër, është rrethuar nga shumë skandale dhe rënie brenda kështjellës së qeverisjes së tij gjatë periudhës së mandatit të dytë. Pyetja shtrohet: A do të hyjë në një luftë tjetër; apo do të mënjanohet si ‘i lodhur’ duke e lënë PS-në në duar të tjera; dhe qeverinë gjithashtu?!

Gjasat janë se edhe kjo skemë po përgatitet.

Veritas.com.al/