Dy vëllezër janë ekzekutuar mëngjesin e së shtunës në Shkodër. Ata janë Astrit dhe Ibrahim Bilali, të cilët u qëlluan me breshëri kallashnikovi pranë banesës së tyre në lagjen Kiras në Shkodër.

Autorët e vrasjes kanë lëvizur me një automjet, i cili është gjetur pak metra më tutje, i djegur.

Dy viktimat nuk kanë precedentë penalë, por dyshimet janë se vrasja e tipit mafioz është një ekzekutim për hakmarrje si pjesë e luftës së nisur mes dy fiseve të njohura në botën e krimit në Shkodër.

Vrasja dyshohet të jetë hakmarrje për shkak se viktimat kanë lidhje me një tjetër vrasje të ndodhur pak kohë më parë në këtë qytet.

Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit, një anëtar i dyshuar i bandës Bajri, i cili mendohej se ishte shënjestra e vërtetë e atentatit ku mbeti i vrarë disa muaj më parë, Arjan Ferracaku.

Kjo ngjarje ka mbetur pa autorë edhe pse policia shoqëroi disa persona të fisit Lici, raporton TCH.

Viktima tjetër është i njohur në Shkodër si ish pjesëtar aktiv në lëvizjen e 2 prillit në fillim të viteve 90 në Shkodër.

Ata kujdeseshin për një kompleks hipizmi në zonën e Kirasit. Dy vëllezërit 59 dhe 61 vjeç, kur janë qëlluar me armë zjarri,  ndodheshin në lagjen me emri “Guerilë” në vendin e quajtur “Zooteknika”.

Policia ka nisur kërkimet në të gjithë zonën, pasi ka gjetur mjetin e djegur. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kane nisur shoqërimet e personave të dyshuar ndërsa janë ngritur edhe postoblloqe.

Gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është nisur një grup i posaçëm me ekspertë dhe drejtues të Policisë Kriminale dhe asaj të Rendit për t’ju bashkuar grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Policia e Shkodrës kërkon nga dëshmitarët të bashkëpunojnë e të japin informacione në numrat 112 ose ne numrin 0694102147 duke garantuar ruajtjen e anonimatit.

Veritas.com.al/