Një ngjarje e rëndë është regjistruar në mbrëmje në Kavajë, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë nga një aksident automobilistik.

Një automjet tip Benz, që lëvizte me shpejtësi, ka përplasur një grua me dy fëmijët e saj, teksa po kalonin në rrugë.

Fillimisht u deklarua nga burime spitalore se gruaja ka humbur jetën, si dhe një nga të rinjtë që udhëtonin me automjetin e aksidentit.

Por bilanci i aksidentit tragjik automobilistik të regjistruar mbrëmjen e së martës në dalje të Kavajës,  është rënduar gjatë orëve të natës.

Pas nënës së dy fëmijëve, si dhe një prej të rinjve që po udhëtonin me mjetin e aksidentit, ka ndërruar jetë në spital edhe drejtuesi 24-vjeçar i mjetit.

Viktimat janë identifikuar si Vilson Cara,  Gentjan Belba, 23 vjeç, dhe Lumturi Demrozi, 46 vjeç. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se makina humbi kontrollin dhe ishte ngjitur në trotuar, duke përplasur gruan, vajzën e saj dhe një person të tretë, që fillimisht u mendua të ishte vajza tjetër e viktimës.

Mësohet se dy të rinjtë ishin nisur për të festuar ditëlindjen e Vilson Carës, i cili sot do të mbushte 24 vjeç. Sa i përket fëmijës së viktimës, vajza 21-vjeçare ndodhet ende në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa për personin e tretë, burime nga Policia e Kavajës thonë se nuk ka pasur lëndime.

Veritas.com.al/