Koment: Veritas/

Përveç që gjithë politika e vendit është e ndarë në raport me Ditën e Çlirimit të Atdheut nga pushtimi gjerman në fund të Luftës së Dytë, tashmë edhe Opozita ndahet ‘mes veti’. Maxhoranca socialiste, e cila tanimë ka shumicë absolute në Kuvend, beson dhe përkujton 29 Nëntorin si dita e Çlirimit të Atdheut; ndërsa Partia Demokratike në Opozitë nuk e pranon 29 nëntorin si ‘ditë e çlirimit’.  PD ka festuar 28 Nëntorin- edhe si ditë të Pavarësisë, edhe si ditë të Çlirimit.

PD e ka marrë këtë vendim që në vitin 1992- si një refleksion kundër komunizmit.

Por LSI e cila është pjesë e opozitës, në këtë rast nuk ka mbajtur anën e grupimit opozitar. LSI është njësoj si PS në raport me datat historike të vendosura që në periudhën e diktaturës komuniste. Sot LSI ka përkujtuar 29 nëntorin si ditë e Çlirimit të Atdheut.

Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit u pa edhe një ‘përçarje’ mes opozitës, pasi kryetari i PD-së Lulzim Basha vendosi që të përkujtojnë ditën e Çlirimit ditën e djeshme, duke vendosur kurora me lule në memorialin ‘Nënë Shqipëri’.

kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi bashkë me grupin parlamentar të kësaj partie, ka zgjedhur që këtë datë historike kombëtare ta përkujtojë sot, bashkë me maxhorancën. Por zonja Kryemadhi zgjodhi një tjetër orë nga ajo e krerëve të shtetit për të marrë pjesë në homazhe. Pasi vendosi kurorë me lule në Varrezat e Dëshmorëve, Kryemadhi dha edhe një mesazh, duke aluduar se dëshmorët e atdheut ‘i dhanë atdheut jetën’, por ‘nuk morën asgjë’- tha ajo, duke aluduar për politikanët e tanishëm,  duke përfshirë edhe të LSI- që marrin çdo gjë e nuk japin asgjë.

Veritas.com.al/