KQZ me 4 vota pro dhe një kundër rrëzoi kërkesën e PD-LSI për të pasur anëtarët e saj në KZAZ.

Më herët përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso i kërkoi KQZ-së të zbatojë ligjin dhe të pranojë kërkesën e opozitës duke i paralajmëruar se do mbajnë përgjegjësi penale nëse shkelin ligjin.

“Opozita ka zgjedhur ta shfrytëzojë këtë të drejtë ligjore se janë të shumta denoncimet e mbërritura që vërtetojnë se çdo hap i procesit zgjedhor sidomos në komisionet e nivelit të dytë është i mbushur me paligjshmëri në funksion të një qëllimi të qartë të partisë shtet”, z shpreh Ivi Kaso.

Ndërsa anëtari i KQZ, Bledar Skenderaj, u shpreh: “Ata që nuk njohin 30 qershorin, ata që thonë s’do ketë zgjedhje, ata që 24 orë më parë thanë se do dërgojnë njerëz në qendra votimi për të penguar zgjedhjet, nuk kane as te drejte ligjore as te drejte morale te menaxhojnë procesin”.

Në dalje të ambienteve të KQZ, pas vendimit të marrë, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, tha se çdo anëtar i KQZ që votoi për të përjashtuar opozitën, në shkelje flagrante të ligjit dhe të vendimit të mëparshëm të vetë KQZ, do të ndiqet penalisht për shpërdorim detyre.

Ivi Kaso tha se vendimi i paligjshëm për përjashtimin e opozitës u mor pas presionit nga Taulant Balla dhe Damian Gjiknuri, akt i cili është denoncuar më herët nga opozita publikisht dhe tek partnerët ndërkombëtarë. PD do ta ankimojë vendimin, si dhe do të informojë misionin e OSBE/ODIHR dhe organizmat ndërkombëtarë për përjashtimin e opozitës nga kontrolli i procesit.

“Kemi të bëjmë me një parti, e cila, edhe kur garon e vetme, vjedh dhe manipulon procesin”-tha Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso.

Veritas.com.al/