123 persona janë proceduar nga Policia e Fierit pasi morën pjesë në protestën e opozitës këtë të hënë, duke bllokuar për një orë akset rrugore kombëtare. Bëhet fjalë për protestuesit që bllokuan rrethrrotullimin e Plugut në Lushnje.

Mësohet se policia ka nisur procedim edhe për drejtuesit politik të protestës në këtë aks. Përgjegjësi politik për protestën në Lushnje ishte Sekretari i Përgjithshëm në PD, Arben Ristani, ndërsa ishin të pranishëm edhe deputetët Kozma Dashi, Bedri Miha, Astrit Veliaj, Liljana Elmazi.

Gjatë ditës së sotme në një deklaratë zyrtare, policia e Shtetit tha se do të referojë në prokurori materialet procedurale për protestën e PD-së, e cila u mbajt pa leje nga autoritetet.

Pritet që procedime të nisin edhe për drejtuesit e PD-së, dhe qytetarët që ju bashkuan tubimit duke bllokuar rrugët, në Shkodër, Kukës dhe Elbasan. Ajo që mbetet të shihet, është nëse policia do të procedojë ose jo penalisht edhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Lideri i opozitës udhëhoqi protestën në sheshin “Shqiponja” në Tiranë, ndërsa nuk u shënua asnjë incident.

Për rreth 1 orë, tre pika kyçe në akset kryesore kombëtare rrugore dhe 2 nyje lidhëse në Tiranë u bllokuan nga protesta e Partisë Demokratike, me kërkesën për krijimin e një qeverie teknike pa Ramën kryeministër, që të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira në vend.

/Veritas.com.al/