Nga: L. Skiro/

Sikur të kishte një agjenci sondazhesh dhe të bënte një pyetje “çfarë e lidh sot Kuvendin me Popullin?!”, jam i sigurt se shifra do të dilte ‘Zero’. Asgjë nuk e lidh Kuvendin me Popullin, që është burim dhe mbiemër i Kuvendit. A është quajtur dhe quhet “Kuvendi Popullor”?

Po çfarë lidhjeje kanë?

Ja shikoni punimet sot?

Të gjithë po hahen me njëri tjetrin…, pse? Për pushtetin e tyre, të atij grupi të vogël njerëzish.  Natën futen nëpër skuta dhe bëjnë marrëveshje, në mëngjes dalin në tribunën e Kuvendit si kokoshë, dhe bëjnë sikur hahen. Në fakt pushteti është ndarë gjatë natës, por gjatë ditës shpalosin intrigat e “luftës” për drejtësi. Herë bëjnë kurban Kurbanin, herë bëjnë kurban ca grindje me gishta në vesh dhe me stërkala pështyme…, kundër ndonjë ministri.

Akuzojnë…. Për çfarë akuzojnë? Se ‘Iks’ vëlla a kushëri “prodhon drogë” ose “shet drogë”. Në këtë rast nuk e kanë as me trafikantin, as me kultivuesin. Në këtë rast mesazhin e kanë për popullin. Popullit i thonë se ku ndodhet droga, ‘ik, vrapo e punësohu’. Ky është qëllimi i të dy palëve që bëjnë sikur janë kundërshtarë. Por në fakt Kuvendarët dhe gjithë politikanët i gjejnë punë popullit, punë te droga ose te grabitja- që të dyja këto janë pronë e politikës- si krimi, edhe droga.

Gjithë lufta në Kuvend duket se nuk ka asnjë lidhje me popullin. Të gjithë duan tí marrin tjetrit pushtetin nga kolltukë; të gjithë shikojnë njëri tjetrin nga prapanica, jo nga interesi i atyre që i kanë zgjedhur. A nuk kuptuat? Kush foli se sa të uritur ka sot vendi? Kush pyeti se sa të sëmurë po qajnë me lot se po u vjen vdekja pasi nuk kanë me çfarë blejnë ilaçe?  Kush foli se sa nga zgjedhësit e zonës së tij kanë konflikte, ose sa vetë ndodhen në depresion për shkak të varfërisë dhe padrejtësive…?

Asgjë. Asgjë nuk vjen në Kuvend.

Kuvendarët, edhe kur kacafytën për pushtetin, bëhen të neveritshëm, sepse gënjejnë, mashtrojnë, sajojnë. Sajojnë video njësoj si njerëz ordinerë, shajnë kundërshtarin- njësoj si ordiner; japin lajme të pavërteta- njësoj si ordinerët…

Këta, sa mbaron seanca e Kuvendit, dalin në rrugë, si bishtafellë, dhe shikojnë anash cili po i pikas e kush po mahnitet me ta… Askush, përveç atyre që dëshmojnë neveri për këtë specie politikanësh…

Ndërsa populli sheh punën e vet të rrënuar…

Veritas.com.al/

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.