Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë me dije se ka refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Me anë të një njoftimi në “Facebook”, Thaçi ka thënë se është mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë, por Kosova vazhdon të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet dhe pengesa kryesore vjen nga Serbia.

“Mbështetja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i përhershëm. Mirëpo, për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë”, thotë presidenti.

Thaçi ndërkaq ka thënë se Kosova synon anëtarësimin e NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, të cilat i quan si një rezultat i paaftësisë së BE-së p♪7r të hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor

“Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor”, shton ai.

Presidenti shton se rrethanat që kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe të dytin që u mbajt në Ohër nuk kanë ndryshuar.

“Në fund, dua të theksoj se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë”, tha presidenti.

VERITAS.COM.AL/