Presidenti Bujar Nishani nuk ka dekretuar katër prokurorët shtesë të strukturës antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilët u emëruan nga kryeprokurori Adriatik Llalla.

Ka kaluar një vit që nga ngritja e kësaj strukture që do të hetojë zyrtarët e përfshirë në korrupsion dhe në muajin shtator të këtij viti, Llalla emëroi 4 prokurorë të tjerë, veç prokurorit Gent Osmanit që ishte: Armand Gurakuqi, Anisa Qilimi, Enkelejda Minollai dhe drejtuesin Dritan Reshka.

Me forcimin e kësaj strukture Antikorrupsion, Prokurori i Përgjithshëm paralajmëroi sërish të njëjtën gjë, se në vjeshtë priten arrestime të zyrtarëve të lartë. Por, asnjë arrestim i tillë nuk ka ndodhur, përveç rasteve sporadike. Mesa duket, kjo lëvizjes e Llallës nuk është marrë në konsideratë në kreu i Shtetit.

Top Channel raporton se shkak i mosdekretimit nga Nishani ka qenë mosndjekja e të gjitha kritereve për këto emërime, sepse së pari duhej kryer shpallja e vendeve vakante tek Krimet e Rënda e më tej ata duhet t’i nënshtroheshin konkursit.

Pavarësisht mosmiratimit nga Presidenti, 4 prokurorët e padekretuar nga Presidenti qëndrojnë në këtë detyrë të komanduar nga kryeprokurori, që do të thotë se me pëlqim është vetëm prokurori Gentian Osmani dhe prokurori amerikan i atashuar Gjon Junçaj.