Koment/

Prej orës 9 në Strasburg ka nisur mbledhja e ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, ku është duke u diskutuar edhe për çeljen e negociatave mes BE-së, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kjo mbledhje po ndiqet me interes nga qeveria shqiptare dhe faktori politik vendas.

Çështja e çeljes së shumëdëshiruar të negociatave nga ana e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore ka tërhequr vëmendje të madhe, me ekspertë të ndryshëm që përpiqen të vënë në balancë përfitimet e një procesi të rrethuar prej kohësh nga pikëpyetje të mëdha.

Frank Schimmelfennig, profesor i politikave europiane në Universitetin teknologjik të Zyrihut dhe Ulrich Sedelmeier i London School of Economics and Political Science rendisin disa arsye përse BE-ja, sipas tyre, duhet t`i japë dritën jeshile negociatave.

Dyshja sqaron se politika e zgjerimit të bllokut ka vuajtur nga besueshmëria e ulët, si në aspektin e premtimeve të anëtarësimit nga BE, ashtu edhe në raport me gadishmërinë e saj për të sanksionuar në rast mospajtimi.

Vendimi mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ofron një mundësi thelbësore për ta rikthyer këtë besueshmëri, thonë ata. Schimmelfennig dhe Sedelmeier tregojnë sesi në një studim të fundit kishin argumentuar se reduktimi i besueshmërisë së premtimeve të bëra nga BE-ja për anëtarësim, është kthyer në pengesën kryesore të një përdorimi sa më efikas të kushtëzimit të zgjerimit tek vendet e ardhshme anëtare.

Nëse institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare mbeten të ndara mbi rëndësinë e normave të demokracisë liberale, përdorimin e sanksioneve pas pranimit kundër hapave prapa të demokracive, dhe dëshirën e fortë apo ndjenjën e urgjencës që vjen nga Ballkani Perëndimor, besueshmëria do të jetë e vështirë për t’u rikthyer, nënvizojnë ata, duke shtuar se vendimi për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ishte një mundësi thelbësore për ta bërë një gjë të tillë.

Dritarja e mundësive po mbyllet shpejt, thuhet në artikull; e duhet vepruar, në të kundërt popujve mund t`i humbasë durimi me qeveritë e fokusuara tek reformat të cilat nuk e garantojnë dot progresin drejt rrugës së anëtarësimit.

Veritas.com.al/