PS ka mbledhur sot Asamblenë e Zgjeruar në Fier. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë Edi Rama, u ndal fillimisht tek turizmi dhe rritja e shifrave këtë vit.

Sipas tij, krahasimisht me vitin e shkuar, shifrat e turizmit në vend janë rritur me 80%.

“Sot mora të dhënat e tetorit për turizmin. Jemi në tetor dhe krahasimisht me tetorin e vitit të shkuar, numri i turistëve që kanë hyrë në Shqipëri është rritur me mbi 80%.

Nga janari në tetor ne kemi prekur numrin e 9 milionë turistëve në Shqipëri. Për të qene të saktë, është 8.92, por gjithsesi është një shifër që do të ishte e paimagjinueshme deri disa vite më parë.

Mos të harrojmë asnjëherë se kur flasim për turizëm, ka disa që mendojnë se kjo është diçka që nuk ka lidhje me jetën e tyre të përditshme.

Në fakt ajo që po ndodh sot është që turizmi po kthehet në industri dhe nga ana tjetër është eksporti më i madh sepse nuk është se ata turistë që vijnë rrinë në ajër, por rrisin konsumin, kërkesën për shërbime dhe prodhime. Patjetër rrisin dhe të ardhurat në ekonomi”, u shpreh Rama.

Më tej ai u ndal edhe tek rritja e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, duke thënë se kjo rritje nuk ka prekur familjet shqiptare, pasi fatura është paguar nga shteti.

“Ndërkohë që çmimi i energjisë u rrit frikshëm për të gjithë, asgjë nga kjo rritje në tregun ndërkombëtar, asnjë qindarkë nuk është reflektuar në faturën e dritave të familjeve shqiptare. Vumë në dispozicion një volum të konsiderueshëm lekësh për të mbështetur familjet, duke e paguar nga arka e shtetit diferencën”, u shpreh ai.

“Ekonomia është më mirë, por duhet të bëhet më mirë. Vijmë tani te buxheti, vitin e ardhëm ne do ta çojmë pagën mesatare 900 euro. Mos harrojmë që sot një ndër faktet më kokëforta për progresin që po flas, është kokëfortësia e lekut”, tha Rama më tej.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar të PS të mbajtur në Fier u ndal tek ekonomia. Teksa iu referua të dhënave të FMN, kreu i qeverisë u shpreh se ‘Shqipëria sot ka një nga ekonomitë me rezistente në rajon’.

Rama tha se me buxhetin e vitit 2024 borxhi publik është në 60%, me një ulje prej 15%, ndërsa theksoi se ka si synim që vitin e ardhshëm borxhin ta ulin nën 60%.

“FMN në misionin e vet të fundit theksoi se Shqipëria sot ka një nga ekonomitë me rezistente në rajon. Të kesh një ekonomi rezistente brenda kapacitetit që ke nuk është se e kanë të gjithë.

Nëse ne do të vazhdojmë të ecim përpara si deri  tani me uljen e borxhit dhe me çeljen e negociatave ne bëhemi një shtet që mund të marrim vlerësimin dhe të kalojë në 2B.

E kemi përsëritur gjithmonë se është e rëndësishme.

Kemi pasur goditje të forta, që nga tërmeti tek pandemia dhe ndryshe nga vendet e tjera rreth e rrotull që janë vende anëtare të BE, ne 5 vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kemi pasur mbështetje financiare ekstra nga BE ose më saktë mbështetje të konsiderueshme.

Borxhi ynë shkoi deri në 75%. Sot që flasim me buxhetin e vitit 2024 ne  jemi thuajse në 60% pra një ulje 15%. Projeksioni ynë është që vitin e ardhshëm ne do të zbresim nën 60%

Kemi  njëkohësisht bërë diçka shumë të rëndësishme për të gjithë njerëzit. Ndërkohë që çmimi i energjisë u rrit në mënyrë të frikshme, asgjë nga kjo rritje nuk është reflektuar në faturën e dritave të asnjë familje shqiptare.

Është e çuditshme se duke qenë se ka një informim për faktet, por ka edhe një propagandë për faktet shumë njerëz thonë që është rritur çmimi i energjisë. Nuk ka rritje çmim. Ata që thonë na është rritur çmim, nuk pyesin fare sa po paguhet.

Inflacioni ka qenë një tjetër problem i madh. Nuk e them unë, e thonë të gjithë dokumentet e institucioneve ndërkombëtare.

Shqipëria pati dhe ka sot inflacionin më të ulët në Rajon dhe e ka inflacionin sot nën mesataren e BE. Aktualisht jemi me 4.1% dhe sipas BSH vitin e ardhshëm inflacioni do të rikthehet në nivelin e para krizës.

Shqipëria doli nga lista gri e task forcës së veprimit financiar dhe doli nga lista gri me vlerësime të larta për punën e bërë”, tha Rama