Prokuroria e Krujës ka reaguar pas rastit të helmimit të qytetarëve për shkak të ujit të pijshëm.

Ajo ka urdhëruar ekspertim mjeko-ligjor të menjëhershëm, për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve.

Gjithashtu, në njoftimin zyrtar të saj bëhet me dije se po kryhen analizat fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave në lidhje me këtë ngjarje.

Nga ana tjetër, sipas stafit mjekësor, deri më tani kanë marrë trajtim 500 qytetarë, pas helmimit nga uji i pijshëm.

Mjekët kanë bërë më dije se vihet re një përmirësim i lehtë i situatës.

Që nga mëngjesi i së dielës, qytetarët kishin simptoma helmimi, si dhimbje koke, dhimbje barku, diarre e të vjella.

Dyshimet ishin te kontaminimi nga uji i pijshëm, dhe në një reagim zyrtar Ujësjellësi i Krujës tha se, shkak për këtë janë reshjet e dendura, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës, ku është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.

UKK-ja tashmë ka ndërprerë furnizimin me ujë në Krujë.

Reagimet

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, vizitoi gjatë të martës, pacientët e helmuar në Spitalin e Krujës.

“Situata e qetë nuk ka pacientë të rënduar. Po kryhen hetime për shkakun e helmimit”, u shpreh ministrja.

Më herët, ishte presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili përmes një postimi në median sociale Facebook, reagoi lidhur me helmimin.

“Me shqetësim po përcjell helmimin në masë të banorëve të Krujës, një situatë alarmante, që duhet trajtuar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore përgjegjëse për shëndetin publik, por edhe nga drejtësia”.

Meta u ka bërë thirrje autoriteteve përkatëse për zbardhjen e burimit që çoi në këtë gjendje.

“I nxis shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët e përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare”.

Në orët e para të 26 tetorit, ka pasur një reagim dhe nga drejtoresha e spitalit, Yllka Sheta, mbi gjendjen alarmante të krijuar në Krujë, pas helmimit, për të cilin dyshohet se ka ardhur nga uji i pijshëm.

“Nuk ka pasur raste të rënda, që t’i dërgonim për mjekim të specializuar në Tiranë, kanë marrë të gjithë shërbimin këtu”, siguroi Sheta./ap/