Partia Demokratike kishte njoftuar opinionin publik se në seancën e sotme plenare të Kuvendit do të paraqiste disa amendamente që ‘nuk do ta lejonte Ramën’ të kalonte buxhetin “ e larjes së parave të drogës”. Por në seancën e sotme 16 amendamentet e paraqitura nga PD janë quajtur ‘të vjetra’ dhe ‘të programit elektoral’ të PD në ato vite.

Kryeministri Edi Rama i ka quajtur amendamentet e Partisë Demokratike ide të programit të saj elektoral në 2005. Rama tha se PD nuk ka një vizion alternativ për Shqipërinë.

“Amendamentet e opozitës për buxhetin që provojnë katërcipërisht atë që njerëzit dinë, shohin dhe dëgjojnë përditë që PD nuk ka asnjë vizion alternativ për Shqipërinë, nuk ka asnjë program alternativ për të ardhmen, dhe nuk ka asnjë ide tjetër përveç ideve të saj të vjetra të shkruara në programin elektoral të vitit 2005 dhe të rezultuara thjesht dëshira të natyrës elektorale për tetë vjet me radhë në qeverisjen e vendit”, tha Rama.

Ai shkoi më tej duke thënë se opozita i bëri këto propozime për buxhetin për të thënë se “jemi gjallë akoma”. “Uji që rreh sot në hava Partia Demokratike nuk ka asnjë lidhje me rrjedhën e zhvillimeve të vendit. Është thjesht ‘më ka çu nana me la gojën’, e ndërkohë që jemi të zënë me bolorinë, “krim, krim, krim, drogë, drogë, drogë, akuza, akuza, akuza”, meqë na doli buxheti para në çastin e fundit po bëjmë dhe ne ca propozime që të themi se jemi gjallë akoma”, vijoi ai.

Veritas.com.al/