Nga: Astrit Patozi/

(Deputeti Astrit Patozi shkruan menjëherë pasi u godit deputeti ‘i pabindur’ i PD, Bedri Hoxha në prag të një takimi të kryetarit të PD, Basha, me mlitinatët e tij)

 

Kolegun Bedri Hoxha e qëlluan dje pak përpara takimit të Lulzim Bashës në Burrel. Nuk dua të merrem me autorin dhe as me arsyet e tij, por më bën përshtypje cinizmi i kryetarit të vetëngrirë, i cili po kërkon një mandat te ri, pasi na çoi në greminë elektorale. Ai nuk ka thënë ende asnjë fjalë për incidentin e rëndë, por është mjaftuar me një thirrje për qetësi gjatë takimit, a thua se ishin sharë dy fëmijë me njëri-tjetrin në oborrin e shkollës.

Bedri Hoxha është deputet i Partisë Demokratike në dy legjislatura, por me sa duket për Lulzim Bashën ai është një kundërshtar për t’u goditur, për sa kohë nuk gjeti një minut per ta pyetur se cfarë ndodhi.

Kjo e shpjegon më mirë atë magjinë e natës së listës, kur Lulzim Basha nuk ka qenë i motivuar për ata që do sillte atje, por ka qenë i ngazëllyer për ata që do të hiqte. Njeri prej tyre me sa duke ka qenë edhe kolegu Bedri Hoxha.

Por tani që e keqja u bë, pyetja që të vjen ndërmend është se si ka mundësi që në fushatën tonë njëmujore nuk patëm asnjë incident të vetëm me socialistët e Edi Rames? Vërtet është më i keq Bedriu, se sa ata që, sipas Lulzim Bashës, na kanë vjedhur dhe blerë votat prapë më 25 qershor?

Duke shprehur solidaritet të plotë me Bedri Hoxhen për agresionin e neveritshëm kundër tij, ftoj publikisht Lulzim Bashën të qetesojëq “trimat” , që e kanë marrë në mbrojtje, nderkohë që nuk po e sulmon kush. Ngjarja e shëmtuar e Burrelit është një arsye më shumë se përse Lulzim Basha nuk mund të jetë më kryetar i Partisë Demokratike, sepse ai veçse i dëmton dhe i ndan demokratët.

Veritas.com.al/