Kryeministri Edi Rama priti në Tiranë në një takim zyrtar homologen e Finlandës, Sanna Marin, ku temë kryesore e diskutimit ishte anëtarësimi i Finlandës në NATO. Roli i Shqipërisë si një nga vendet anëtare dhe dënimi nga të dyja vendet i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Kryeministri Edi Rama theksoi se kërcënimi rus është i real edhe për Ballkanin. Në një konferencë për mediat me Kryeministren e Finlandës, Sanna Marin, Rama shtoi se mirëpret anëtarësimin e vendit nordik dhe Suedisë në aleancën ushtarake. “Ne jemi në një fron kundër agresionit rus në Ukrainë dhe Finlanda ka shumë për të na mësuar, pasi për shkak të historisë e pozicionit të vet e njeh shumë mirë agresorin dhe natyrën e tij. Duke qenë një vend që ka pasur në të shkuarën mundësinë të nxjerrë shumë mësime nga fqinjësia me Rusinë mendoj që ka dhe një zë shumë të respektueshëm për të kuptuar sa e rëndësishme është rezistenca dhe sa e rëndësishme është lidhja që disa nuk duan ta bëjnë mes asaj që ndodhi në Ukrainë dhe asaj që mund të vijë deri këtu. Në këtë kontekst Ballkani është një hallkë e dobët, delikate dhe për këtë arsye, eksperienca dhe fjala e Finlandës ka shumë rëndësi për të gjithë komunitetin”, tha Rama. “Mbështesim me gjithë bindjen tonë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Në çdo aspekt janë vlerë e shtuar e aleancës dhe që për më tepër në kushtet e sotme, dyert duhet të jenë të hapura në të katër kanatet për hyrjen e tyre. Madje ndihemi të privilegjuar që na jepet mundësia të bëjmë një gjë për Finlandën, kjo nuk është pak”, u shpreh Rama. Kryeministri Edi Rama s’ka kursyer batutat me homologen e tij finlandeze, Sanna Marin, gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp në Kryeministri. Kreu i qeverisë u shprehu dëshirën që Sanna Marin, pas vizitës së shkurtër në vendin tonë, të mendohet për tu rikthyer sërish në Shqipëri, por këtë herë “me vajzën e saj të vogël dhe bashkëvuajtësin e saj”.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.