Në pritje të vendimit të Këshillit Europian 2 kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut po “lëvizin dhe gurët e fundit” për të siguruar një “Po” për negociatat e anëtarësimit.

Rama dhe Zaev janë nisur drejt Brukselit, ku do të marrin pjesë në një takim të organizuar kryeministrat e qeverive socialiste të vendeve të Bashkimit Europian, si mundësi për të patur në krah sa më shumë aleatë në favorin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjatë rrugës drejt aeroportit, Kryeministri, në një video mesazh thotë se po bëhet maksimumi për të siguruar “Po-në” e merituar dhe se shpreson tek përpjekja e kancelares Merkel për të bindur presidentin francez.

“Me realizëm po gjykoj se po bëhet maksimumi për të marrë Po-në e merituar. Më e mbështetur se sot Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në këtë proces. Edhe Franca e njeh progresin e bërë, e cila kërkon sot shumë më tepër nga BE se sa nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.  Tani po nisem në Bruksel sëbashku me kryeministrin Zaev për të takuar kryeministrat e qeverive socialiste dhe progresiste të BE-së në një format të krijuar enkas nga Partisë Socialiste Europiane për të pasur sa më shumë aleatë në tryezën e mbrëmjes së pasnesërme”.

Një ditë më parë, Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian nuk arritën të marrin një vendim për hapjen e negociatave. Vendimmarrja tani u takon krerëve të vendeve të BE-së, që do të mblidhen më 17 dhe 18 Tetor në Bruksel.

Franca është kundër zgjerimit, ndërsa Holanda thotë se Tirana dhe Shkupi kanë ende punë për të bërë. Por 25 vende të tjera të Unionit janë të mendimit se dy vendet i kanë përmbushur kriteret e kërkuara, ndaj duhet që edhe Brukseli të përmbushë detyrimet e tij për t’i çelur negociatat.

Komisioneri Hahn u shpreh i zhgënjyer nga mbledhja e kryediplomatëve dhe refuzimi i Francës dhe Holandës, teksa tha se ky nuk ishte një moment lavdie për Bashkimin Europian.

Veritas.com.al/