TIRANË-Në politikë vendimet merren sipas fakteve dhe faktet janë të qarta në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë janë të qarta. Të dyja shtetet kanë plotësuar kushtet dhe duhet të nisin menjëherë negociatat për anëtarësim. Deklartata e fortë është bërë sot në Tiranë nga ministri për Evropën i vendit më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, Michael Roth.

Për Gjermaninë përcaktimi i datës së konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat të BE-së me Shqipërisë duhet të merret sa më shpejt pasi Shqipëria i ka plotësuar kushtet.

Në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama u ndal edhe në çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve që kanë marrë vaksina që nuk janë miratuar nga EMA, siç janë ajo e Sputnik dhe Sinovac që përdoren edhe në Shqipëri, duke e konsideruar të rëndë ndarjen e njerëzve nga lloji i vaksinës perëndimore apo lindore. Rama tha se BE s’mund të marrë peng askënd që jeton në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur se ç’do të bëjë Shqipëria nëse nuk përcaktohet serish data e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për negociatat Shqipëri-BE, Kryeministri Rama tha se reformat nuk bëhen se kërkohen nga BE-ja por sepse zhvillojnë Shqipërinë.

Roth ndërsa u ndal edhe te çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke thënë se kjo do të duhej të ishte bërë prej kohësh, pasi kushtet janë përmbushur. Më i ashpër ishte Rama në reagimin e tij, duke e konsideruar “të turpshëm” faktin që BE nuk ka liberalizuar ende vizat me Kosovë. Sipas Ramës, BE e ka marrë peng Kosovën “në një lojë shahu”.

Ministri Michael Roth, ka mbërritur sot në Tiranë për një vizitë 2-ditore, ku në takime të ndryshme diskutohet ecuria e procesit të integrimit dhe çështja e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në. Roth është takuar me Kryeministrin Edi Rama, me të cilin ka dalë në një konferencë për shtyp nga Kryeministria. Roth vjen në Shqipëri pasi ndodhet aktualisht për vizitë dy ditore në Maqedoninë e Veriut, ku edhe atje shprehur qëndrimin gjerman për çelje sa më parë të negociatave me BE-në.

Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth ndërsa u ndal te çështja e Liberalizimit të vizave për Kosovën, tha se BE duhet të mbajë premtimet e veta dhe se kjo do të duhej të ishte bërë prej kohësh, pasi kushtet janë përmbushur.

“BE duhet të mbajë premtimet e veta dhe këtë e them si autokritikë. Liberalizimi i vizave me Kosovën duhet të ishte bërë prej kohësh. Kjo sepse kushtet janë përmbushur. Edhe në këtë rast është e njëjta logjikë. Unë nuk mund të ndryshoj traktatet e BE-së, Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi konsensusin dhe unë nuk mund të ankohem në këtë drejtim”, tha ai.

Më i ashpër ishte Rama në reagimin e tij, duke e konsideruar “të turpshëm” faktin që BE nuk ka liberalizuar ende vizat me Kosovë. Sipas Ramës, BE e ka marrë peng Kosovën “në një lojë shahu”.

“BE e ka marrë peng Kosovë, në një lojë shahu, ku një nga figurat ka vendosur që atë ushtar ta mbajë peng dhe qytetarët në Kosovë të mos lëvizin lirisht. E turpshëm, po nuk ke ça i bën”, u shpreh Rama.