Pas përplasjeve dhe trazirave që shkaktuan mbrëmë në kryeqytet, rreth 70 tifozë italianë u kthyen mbrapsht në Itali. Me urdhër të autoriteteve shqiptare dhe italiane, trageti AF Marina nuk u nis derisa mbërritën tifozët nga Tirana, të cilët u dëbuan sepse shkaktuan incidente.

Në pamje duket se dy autobusë me tifozë, të rrethuar nga forcat e policisë janë në pritje që të largohen nga Shqipëria duke humbur kështu finalen e Conference League, për të cilën kishin ardhur në Shqipëri.

Sot është finalja Europiane e Conference League. Roma-Feyenoord do të përballen në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane. Sot priten të vijnë mbi 70 mijë tifozë të tjerë, ndërsa mbrëmja e kaluar ishte e vështirë pasi pati incidente dhe tensione në të gjithë kryeqytetin.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, u plagosën 10 efektivë e 4 tifozë dhe u dëmtua një automjet policie. Ndërkohë u shoqëruan 60 persona, 48 tifozë të  Romës 12 të Feyenoord.