Nga: Adriatik Doçi/

Sali Berisha ka konfirmuar paraqitjen sot në Prokurorinë e Tiranës, për të dëshmuar për protestën e dhunshme të 8 janarit, frymëzuar dhe organizuar prej tij, për të marrë me forcë selinë e Partisë Demokratike, në vendin e të cilës së fundmi është zbuluar një projekt për të ndërtuar disa megakulla. Kjo është hera e dytë që Sali Berisha, gjatë jetës së tij politike, futet në derën e prokurorisë, gjithnjë jo si i pandehur, por si dëshmitar. Për herë të parë Sali Berisha u paraqit në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në 9 mars 2015, për çështjen ‘Doshi-Meta’. Në fillim të marsit 2015, Berisha akuzonte Ilir Metën se kishte planifikuar vrasjen e dy deputetëve, Tom Doshit dhe Mhill Fufit, dhe se Meta kishte bërë përpjekje që këtë krim në tentativë t’ja faturonte Berishës.

Është epike përplasja e Berishës dhe Metës në Parlament, të cilët që nga viti 2018 janë në një aleancë të fortë kundër reformës në drejtësi dhe rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Berisha akuzonte Metën se ishte vrasës dhe i kërkonte dorëheqjen si kryetar Kuvendi. Nga ana tjetër, Meta iu përgjigj Berishës se e kishte dhënë dorëheqjen një herë për Shkëlzenin, ndërsa shantazhoi Berishën se do të publikonte një video-skandal për Shkëlzenin. Që të gjithë protagonistët e këtyre akuzave të rënda dhe të paprecedenta në politikën shqiptare, u thirrën në Prokurori, përfshirë edhe Berishën. Kjo ishte herë e parë që Berisha paraqitej para një prokurori.

Sali Berisha është thirrur mbi 27 herë nga Prokuroria për të dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit në 12 shtator të vitit 1998, por ka refuzuar të gjitha thirrjet e prokurorisë, e cila nuk kishte guxim që të kërkonte angazhimin e policisë për ta shoqëruar me forcë. Sot është hera e dytë që Berisha do të paraqitet në Prokurori, por është hera e parë që thirrjet për një ngjarje që është organizator i saj dhe urdhërues i dhunës, siç edhe e tregon një video që është publikuar nga Report Tv, ku jep kushtrimin për të sulmuar selinë e PD-së.

Situata është disa absurde, pasi Prokuroria e Tiranës do të pyesë Berishën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, në kushtet kur Berisha është orkestruesi i ngjarjes. Nga ana tjetër, prokuroria e Tiranës nuk ka asnjë tagër ligjor për të proceduar penalisht Berishën, pasi ky i fundit është subjekt i SPAK-ut në bazë të nenit 135 të Kushtetutës dhe nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.