Ne mbështesim të drejtën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për tu integruar në Bashkimin Evropian, por edhe integrimin e përbashkët mes vetë shteteve.

 Kështu ka deklaruar ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, duke lënë të kuptohet se “Open Balkan” për shtetet e Ballkanit Perëndimor është një “proces më vete integrimi”.

Ajo për mediat siguroi se SHBA e mbështet plotësisht nismën e Ballkanit të Hapur dhe ftoi shtetet jo pjesëmarrëse të bëhen pjesë.

Sipas saj, Open Balkan duhet të jetë i hapur për të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Do përpiqemi të fshijmë çdo barrierë që ka mbetur nga Ballkani i Hapur për të gjitha vendet e rajonit”, tha ambasadorja.

Kështu ajo i ka bërë ftesë Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, që të bëhen pjesë e nismës.

Madje Kim ka shtuar se duhet të ndërmerren iniciativa të tjera që promovojnë integrimin rajonal.

Deklarata e saj u bë pas konferencës të mbajtur në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Nga aty Kim u shpreh se marrëdhëniet mes dy vende kanë përparuar shumë 31 vitet e fundit dhe se SHBA-t do të jenë gjithmonë krah Shqipërisë për ta mbështetur atë.

Qëndrimi i SHBA-ve për Open Balkan

Muaj më parë, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), ka konfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj përpjekjeve të Ballkanit Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin “gjithëpërfshirës” rajonal.

Kjo, në bazë të rregullave dhe standardeve të Bashkimit Evropian (BE), deklaroi ai asokohe.

Sipas zyrtarit amerikan – lidhur me angazhimin ‘vetëm’ të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në nismën e një ‘Ballkani të Hapur’ – udhëheqësit e tjerë të rajonit duhet “të përpiqen që të gjejnë mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”.

Deklarata e zëdhënësit theksoi rëndësinë esenciale “të tërheqjes së investimeve dhe rritjes ekonomike” në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal. Ky i fundit do të garantojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.