Një takim i mbajtur në Beograd, ku në vëmendje ka edhe nismën rajonale “Open Balkan” për tregun e hapur brenda Ballkanit Perëndimor, ka parë në lidhje online edhe të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe kryeministrin Edi Rama, të cilët kanë mbajtur fjalën e rastit.

Ka qenë Escobar, ai i cili shprehu sërish qasjen amerikane kundrejt nismës.

“Mbështetja për Open Balkan do të bëhet në bazë të kushteve që nisma të jetë hapur për të gjithë”, theksoi Escobar gjatë takimit. “Duhet anëtarësim i barabartë dhe jo shpërqendrim nga aspiratat evropiane”.

Ndër të tjera, i dërguari amerikan ravijëzoi faktin se pa të gjashta vendet pjesëmarrëse, nuk mund të ketë sukses për Open Balkan.

(Edi Rama, Zoran Zaev dhe Alexander Vuçiç firmosin marrëveshjet në kuadrin e Open Balkan)

Nga ana tjetër, kryeministri Rama, ka vënë në diskutim bashkimin e tre vendeve të mbetura ballkanike në nismë. Sipas tij, nuk varet nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, nëse ato u bashkohen apo jo.

“Nuk varet nga ne të bindim dikë që Open Balkan është i hapur. Duhet të ecim përpara, nuk mund të presim. Varet nga gjithkush që të marrë vendimet e veta”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, kreu i Qeverisë theksoi se gjithçka po ndodhte, ishte zbatimi i procesit të Berlinit. Ndërsa, çdo vend, vendos në mënyrë të pavarur se çfarë do për veten.

(Skenografia në takimin e Open Balkan, Beograd)

Ai gjithsesi, i falënderoi SHBA-të për mbështetjen e dhënë edhe për sa i përket nismës. Sipas Ramës, mbështetja e tyre është e natyrshme.

Ndër të tjera, kërkesën për të bindur tre vendet e tjera, ai i adresoi direkt partnerëve të mëdhenj, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian.

“Do të isha i lumtur që dy aleatët dhe partnerët të inkurajojnë të tjerët t’i bashkohen (nismën). Nuk kam dëgjuar kurrë nga Vuçiç që nuk e do Kosovën në tryezë. “Ballkani i Hapur” të mos bëhet karikaturë e strukturave që njohim”, përmbylli ai.

Ballkan i Hapur

I ftuar i rastit ka qenë edhe zëvendëskryeminsitri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov. Mesazhi kryesor i tiji, ka qenë fakti se si kufijtë, po bëhen gjithnjë e më pak të rëndësishëm.

(Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov)

Sakaq, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, e cilësoi “Open Balkan” si një politikë të mençur.

“Nëse dështojmë në një nismë si kjo, suksesi ynë është në rrezik”, theksoi ajo./ AP/

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.