“Duhet të bëhen përpjekje për të luftuar korrupsionin, sidomos në fushën e pastrimit të parave dhe korrupsionin publik, si dhe krimin mjedisor”.

Kështu u shpreh ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Sorecca, mëngjesin e 24 nëntorit në një takim konsultativ me donatorët e thirrur nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Në vitin e fundit Shqipëria dhe BE-ja janë angazhuar në një dialog politik shumë të fortë. Do të çojmë përpara bashkëpunimin me vendet e BE-së dhe Europolin”, tha Soreca në fjalën e tij.

Po ashtu ai theksoi se BE-ja do të vazhdojë me mbështetjen ndaj Shqipërisë për të kryer operacione të përbashkëta në luftën kundër krimit.

“Jam i lumtur që kemi folur për sigurinë rrugore. Shqipëria ka prezantuar shumë nisma dhe ende kjo problematikë është shqetësim. Kemi pasur numër të lartë aksidente rrugore vitet e fundit”, vijoi Soreca.

Ndërsa për sa i përket krimit mjedisor, Ambasadori tha se, “sjell shumë para dhe është po aq fitimprurës si tregtia e drogës, por është e vështirë për t’u kapur”.

Duke u ndalur te kjo e fundit Soreca ravijëzoi duke thënë se angazhimi nuk duhet të ndalet.

“Shqipëria po përballet në emigracion në rritje. Është i rëndësishëm zbatimi i plotë i legjislacionit”.

Ai e mbylli duke thënë se, “të ndajmë përgjegjësi e të tregojmë që Shqipëria do të ketë rol të rëndësishëm në promovimin e nismave, e kjo do të thotë që do të çojmë përpara integrimin Evropian”.

Image
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca
“Vendi të pastrohet nga korrupsioni”

E pranishme në takimin e zhvilluar mëngjesin e kësaj dite ishte dhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.

Që prej ditës së marrjes së detyrën ajo ka deklaruar e prerë se, “vendi duhet të pastrohet nga gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët e korruptuar”.

“E vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar është të kemi institucione të pavarura që mbështesin zbatimin e ligjit”, u ndal Kim në fjalën e saj për luftën kundër paligjshmërisë.

Kim theksoi se vendi ynë është duke parë një “epokë të re”.

“Shqipëria ka arritur suksese të vërteta në vitin 2021 që nga largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, arrestimi i politikanëve, policëve dhe kriminelëve. Ky është vetëm fillimi. Ne po shohim një epokë të re ku sistemi mund t’u shërbejë qytetarëve të tij”, theksoi Kim në fjalën e saj.

an image
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.

Por pavarësisht “suksesit”, Kim shtoi se, “shqiptarët luajnë një rol të madh në rritjen e trafikut të drogës. 60-65 ton heroinë kontrabandohen në rajon gjatë vitit. Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin. Kjo tregon që trafikimi mund të ndodhë vetëm me ndihmën e aktorëve shtetërorë”.

Ajo u ndal dhe te trafikimi i qenieve njerëzore dhe emigracioni.

“Trafikimi i qenieve njerëzore është rritur gjithashtu. Mijëra emigrantë kalojnë përmes Shqipërisë për në BE”.

Kim e mbylli fjalën e saj duke iu drejtuar funksionit të institucioneve ligjzbatuese.

“Ajo për të cilën jemi për të folur këtu sot është se si Ministria e Brendshme mund ta bëjë Shqipërinë një vend më të mirë për të gjithë. Duhet të rritet transparenca dhe llogaridhënia”. /Albanianpost.com

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.