Që nga viti 1990, që shënon epokën e hapjes së Shqipërisë drejt botës, vetëm sot është mbyllur kufiri në Kakavijë ku ndalohet hyrja e çdo shtetasi grek- raporton media në vend.

Edhe pse ka ndodhur që ndonjë herë pala greke ka mbyllur kufirin për hyrjen në Greqi të shtetasve shqiptarë, kjo nuk ka ndodhur kurrë për hyrjen e grekëve në territorin shqiptar.

Sot grekët ndalohen për shkak të frikës së turbullirave që mund të shkaktohen në 40 ditorin e vrasjes së ekstremistit grek, Kacifas, në Dropull.

Asnjë shtetas grek nuk do lejohet të hyjë sot në Kakavijë për asnjë lloj qëllimi. Kështu raporton nga Gjirokastra gazetarja e BË, Brikena Metaj duke iu referuar burimeve nga policia. Ajo tha se rreth 300 persona, shtetas grekë janë kthyer nga policia shqiptare në Pikën Kufitare të Kakavijës sipas të dhënave aktuale. Mësohet se ka pasur kthime masive të shtetasve grekë që kanë dashur të hyjnë në territorin shqiptar për të marrë pjesë në ceremoninë e 40-ave të Konstandinos Kacifas.

Ndërkohë që ka pasur persona të tjerë që janë konsideruar të rrezikshëm nga policia e Kakavijës që janë marrë për verifikim nga Kakavija në Komisariat për të kontrolluar dokumentet. Dje ka pasur persona nga Greqia që kanë shkuar në Bularat, me sa duket nuk do të ketë të tjerë. Forca policie qëndrojnë përgjatë gjithë rrugës Gjirokastër-Kakavijë duke ushtruar kontrolle të rrepta.

Dy tubime do të mbahen sot në rrethin e Gjirokastrës. I pari në Bularat për nder të Konstandinos Kacifas, i cili bën ceremoninë e 40-ave dhe i dyti në qytetin e Gjirokastrës.

Fillimisht në Bularat do të ketë një meshë për Kacifas sipas traditës ortodokse dhe më pas nderime tek varrezat. Nuk dihet nëse do ketë një tubim të ngjashëm antishqiptar si ai i ceremonisë së varrimit të Kacifas.

Veritas.com.al/