Frrok Çupi

Po ta thuash këtë fjalë sot, atëherë tregon se as ke marrë lajme, as ke takuar miq që marrin lajme, as jeton me kohën… Aq më pak mund të thuash se je i dobishëm për kombin- nëse je politikan rangu.

Mund të mos e duash aspak, sikurse nuk mund të duhet kryeministri yt që prej fillimit, por para sjelljes me aleatët e Mëdhenj ( sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Europa), njeriu harron nëse ‘me zemër’ e do apo nuk e do kryeministrin. Por nganjëherë ndodh paradoksi: Kryetari i PD, Basha, dhe kryetare e LSI Kryemadhi që vdesin nga dashuria dhe dëshira për të imituar Ramën, sot kanë harruar dhe kanë thënë ‘Rama ik’.

Mbrëmë shteti shqiptar kreu një akt të fuqishëm: Dëboi nga trojet e veta dy agjentë të lartë të Iranit Islamik. Sipas informacionit që erdhi nga Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo dhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald trump, u mor vesh se këtu ishte përgatitur një akt terrorizmi dhe një komplot kundër vendit dhe kundër vlerave të Europës. Kryeministri Edi Rama realizoi dëbimin e ambasadorit dhe të agjentit tjetër iranian, duke i shpallur përjetësisht ‘të padëshirueshëm’ për vendin tonë.

Menjëherë pas kësaj, zoti Pompeo shkroi se “Përgëzoj dëbimin nga kryeministrit Edi Rama të dy agjentëve iranianë që komplotuan sulmet terroriste në Shqipëri. Shtetet evropiane kanë penguar tre komplote iraniane vetëm këtë vit. Bota duhet të qëndrojë së bashku për të sanksionuar regjimin e Iranit në mënyrë që të ndryshojë sjelljen destruktive”-

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shkroi: ““I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja… Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda”.

Me aktin e qeverisë kombi arriti në nivele që po i kërkonte me qëllim që të radhitej mes të mirëve:

E para, shpëtoi veten dhe europianët nga aktete terroriste Islamike që përgatiteshin nga agjentët Iranianë islamistë.

E dyta, kreu një akt që dëshmon se Shqipëria nuk është e lidhur pas karrocës Islamike dhe nuk është një dorë- shtrirë për nga Irani. Shqipëria edhe guxon të ndahet prej terroristëve.

E treta, qeveria shqiptare korrigjoi një nga veprimet e saj ët fundit që e vunë në pozita pro- Islamiste dhe anti- Amerikane, siç ishte votimi kundër Trump në Asamblenë e OKB mbi zhvendosjen e  ambasadës në Jeruzalem.

E katërta, Shqipëria dëshmoi se iu afrohet aleatëve të saj të mëdhenj, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Europa Civile…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe gjithë shteti amerikan sot janë në krah të kombit tonë. Kryeministri Rama e ka përfaqësuar këtë trend…

Atëherë nuk mund të thuhet sot “Rama ik!’.  Njerëzit që nuk kuptojnë- sigurisht- nuk janë në politikë. Por ata që janë në politikë dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë, do të thotë se po përpëlisin sytë për të qenë sa më shumë Islamikë në sjelljet politike.

Sot nuk thuhet, por edhe po ta thuash ‘nuk të ka hije’.

Veritas.com.al/