Kombëtarja shqiptare e futbollit shkeli fushën e gjelbër të Velodrome për seancën e fundit stërvitore para sfidës me skuadrën e Deschamps. Një mundësi për tu përballur me madhështinë e stadiumit 67 mijë vendesh, emocionet këtë herë nuk duhet të jenë një faktor kushtëzues, për ta eliminuar këtë hendikap kanë shërbyer ndoshta dhe fjalët e Lorik Canës, ai që më mirë se kushdo tjetër e njeh këtë stadium ku dikur ka qenë një idhull për tifozët, karikim nga kapiteni dhe këshillat e rastit nga De Biasi.

Seanca e fundit ka shërbyer për tu familjarizuar me ambientin por dhe për të shuar ndonjë dyshim të vogël, megjithëse gjithçka është përgatitur në detaje. De Biasi preferon të mos i hapë kartat në tavolinë për sa i përket formacionit, por me shumë mundësi do të jetë ai i paralajmëruar nga Supersport, Ajeti përkrah Mavrajt në qendër të mbrojtjes para Berishës, nga krahët Hysaj dhe Agolli. Në mesfushë Kukeli pak pas Abrashit dhe Memushajt që zëvendëson Taulant Xhakën, ndërsa në të djathtë Lila në vend të Roshit me Lenjanin në krahun e kundërt dhe në sulm Sadiku.

Është kjo 11-shja që do të përballet me Francën. Në miqësoret e grupit kualifikues i kemi marrë një barazim dhe e kemi mposhtur në Elbasan, por nuk do shumë mend për të kuptuar që këtë herë gjërat janë ndryshe, Gjelat kërkojnë kualifikimin dhe do të jenë shumë më të motivuar, Shqipërisë i duhet të bëjë ndeshjen perfekte për të marrë një rezultat pozitiv. I duhet të mbyllë çdo hapësirë për yjet e vendasve, i duhet të luftojë me shpirt e zemër, të guxojë atëherë kur i jepet mundësia dhe padyshim të mos gabojë në rastet që krijohen. Misioni duhet pranuar, është i vështirësisë maksimale, nuk kemi yjet e Francës dhe as historinë e saj në futboll, por kjo është një Shqipëri që na ka mrekulluar disa herë, fati ndoshta na ka rezervuar një tjetër natë magjike, këta djem duhet ta provojnë.