Nëntëmbëdhjetë fëmijë të vegjël dhe dy të rritur kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në Teksasin jugor.

Personi i armatosur hapi zjarr në shkollën fillore Robb – e cila mëson fëmijët e moshës shtatë deri në 10 vjeç – në qytetin e Uvalde, para se të vritej nga forcat e rendit, thanë zyrtarët.

I dyshuari 18-vjeçar kishte një pistoletë, një pushkë gjysmë automatike AR-15 dhe karikatorë me kapacitet të lartë, thonë hetuesit.

Adoleshenti dyshohet se ka qëlluar gjyshen e tij para tërbimit.

Mediat lokale raportojnë se ai mund të ketë qenë një nxënës i shkollës së mesme në zonë.

Shefi i Policisë së Distriktit të Pavarur të Shkollës Uvalde, Pete Arredondo tha se të shtënat filluan në orën 11:32 me orën lokale të së martës dhe se hetuesit besojnë se sulmuesi “veproi i vetëm gjatë këtij krimi të tmerrshëm”.
Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se sulmuesi, të cilin ai e quajti si Salvador Ramos, braktisi një automjet përpara se të hynte në shkollë për të hapur zjarr “të tmerrshëm, në mënyrë të pakuptueshme”.

Një nga të rriturit e vrarë ishte një mësuese, e cila është përmendur në mediat amerikane si Eva Mireles. Llogaria e saj në faqen zyrtare të distriktit shkollor tregon se ajo ka një vajzë në kolegj dhe i pëlqente vrapimi dhe ecja.

Gati 500 nxënës janë regjistruar në shkollën kryesisht hispanike rreth 85 milje (135 km) në perëndim të qytetit të San Antonio.