Koment/ Vetëm aktorë diletantë, që nuk e ndjekin mirë lojën teatrale, mund të bëjnë skandalin që të shfaqen para spektatorëve para se t’u vijë roli i tyre. A e imagjinoni sa e pështirë do të ishte për një ‘mbrëmje teatrale, nëse aktori që e ka rolin pas disa minutash, del në skenë para kohe.

Për një minutë ose edhe për ca sekonda, loja në Teatër falimenton. Ndërsa shumë- shumë herë më keq ndodh nëse shtete ose aleanca gabojnë me kohën kur iu vlen që të hyjnë në skenë.

Prej kohësh ishte parashikuar se Rusia po ushtron influenca në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të ndalojë proceset integruese për në BE dhe NATO. Mes nesh kishte shumë debate, sidomos me ata që nuk e shikonin realisht dhe thellë ndërhyrjen Ruse në këto zona.

Por ja që erdhi momenti që skeptikët ndaj ndërhyrjes Ruse në vendin tonë, të kenë dëshmi për këtë. Në fakt ndodhi si në një lojë naiviteti: Sapo Bashkimi Evropian nuk dha votën për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, pikërisht pas ditë pas kësaj Rusia fërkoi duart dhe i bëri ftesë Shqipërisë e Maqedonisë. Ata lëshuan sinjale se ‘përderisa Perëndimi nuk iu pranon, ejani në gjirin tonë!

Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me 18 tetor iu refuzua hapja e negociatave me Bashkimin Europian. Pas këtij refuzimi, Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në BE, VladimirChizhov, gjatë Forumit Ekonomik Eurasian në Verona, ka ftuar dy shtetet të bëhen pjesë e  Bashkimi Ekonomik Eurasian (EEU).

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të gjejnë mirëkuptim më shpejt në EEU sesa në BE”, theksoi diplomati rus. Unë jam i sigurt se vendet, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE dhe së fundmi janë” vënë në akull “nga Brukseli “mund të kenë më shumë përfitime në EEU”, tha Chizhov.

Mirëpo ftesa, edhe sikur ndonjëherë të merrej në konsideratë, për nga mënyra dhe momenti kur u lëshua, humbi besueshmëri dhe seriozitet. Jemi akoma në një moment kur Evropa Perëndimore ndodhet në diskutime të brendshme rreth ‘gabimit që u bë’ me Shqipëri dhe Maqedoni. Kjo do të thotë se pritet korrigjimi, pasi të dy këto shtete dhe gjithë Ballkani Perëndimor, e kanë vendin në Bashkimin Evropian dhe askund tjetër. Periudha e tanishme e BE është një periudhë reflektimi rreth asaj që ndodhi. Si edhe vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në refleksion. Por asnjëherë nuk kanë menduar se ‘tani që BE nuk na priti, trokasim në derën e Rusisë’.

Jo, kjo nuk ka ndodhur. Prandaj edhe kjo që ndodhi me ftesën e Rusisë është një ndërhyrje para kohe, që thyen karriget e teatrit.

Veritas.com.al/