Gazeta maqedonase “Infomax” ka publikuar detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik të 23 nëntorit – ku humbën jetën 46 persona – mes tyre 12 fëmijë.

Sipas informacioneve nga hetimi, Infomax zbulon në rrugë jozyrtare se “në pjesën e përparme të autobusit ka pasur një cisternë ilegale me kapacitet 1 mijë litra naftë”.

Më tej, vijon gazeta, është zbuluar se autobusi transportonte një sasi të madhe të lëndëve piroteknike që do të përfundonin në tregun maqedonas para festave të Vitit të Ri.

“Përveç rezervuarit shtesë, autobusi kishte një magazinë të posaçme për kontrabandën e mallrave dhe në këtë rast u transportua material piroteknik ose rreth 30 mijë fishekzjarre”, shkruan gazeta maqedonase.

(Faksimile e lajmit të Infomax)

Për ekspertët bullgarë, mjeti është i ndërtuar në mënyrë të atillë që nuk mund të shpërthejë nga nafta. Kjo, pasi vendosja e serbatorit parashikohet me rregulla strikte sigurie.

Nga konstatimet fillestare të policisë bullgare, shkruan Infomax, autobusi “u dogj plotësisht në më pak se dy deri në tre minuta”.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, aksidenti ka rezultuar në një numër të lartë fatalitetesh – plot 46 nga 53 pasagjerë gjithsej.

Referuar Infomax, informacioni i tyre lidhet edhe me dëshminë e gazetares bullgare Patricia Kirova.

Kirova theksoi se “të gjitha viktimat në aksidentin e tmerrshëm ndodheshin në derën e mesme të autobusit dhe tentuan të arratiseshin”.

“Nëse pas zjarrit në pjesën e përparme, që ka ndodhur për shkak të rezervuarit shtesë të naftës, ka shpërthyer lënda piroteknike, tashmë është e qartë pse asnjë nga pasagjerët nuk ka arritur të shpëtojë dhe të shpëtojë nga dyert e autobusit”, përmbyll artikullin gazeta maqedonase “Infomax”.

Ndërtimi i ngjarjes

Të paktën 46 persona humbën jetën, 45 prej tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pasi një autobus u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Sipas autoriteteve bullgare, ky incident ndodhi në një autostradë të Bullgarisë perëndimore.

Shtatë persona me djegie u dërguan në spitalin e kryeqytetit, Sofje, tha për televizionin BTV kreu i departamentit të sigurisë nga zjarri në Ministrinë e Brendshme bullgare, Nikolai Nikolov.

“Të paktën 45 njerëz u vranë pasi një autobus mori flakë dhe u rrëzua, ose u përplas dhe më pas mori flakë”, tha Nikolov.

Ministria e përditësoi më pas numrin në 46. Në bord kishte gjithsej 53 persona.

Një zyrtar nga spitali i urgjencës së Sofjes tha se shtatë personat që po merrnin trajtim ishin hedhur nga autobusi që po digjej.

Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Ministri i Jashtëm maqedonas Bujar Osmani, sqaroi për mediat se pasagjerët po ktheheshin në Shkup pasi një udhëtimi në fundjavë në Stamboll.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.