Nga: OLIVIER STUENKEL*, The Converstation /

-Harrojini sqimatarët… viti që sapo ka nisur shënon kthimin e “meshkujve dominantë” që triumfojnë dhe kërcënojnë modelin demokratik-.

 

Inaugurimi i Donald Trumpit, të premten 20 janar, ilustron në mënyrë perfekte përmasat e një fenomeni që ka shumë gjasa t’i japë tonin politikës ndërkombëtare në vitet e ardhshme: ngritjen në pushtet të Njeriut të fortë. Ky term përdoret në mënyrë mjaft të përgjithshme për të përshkruar kandidatët me profil autoritar, tejet të prirur kah rendi dhe siguria, të vendosur për t’i dobësuar institucionet dhe për ta përqendruar pushtetin tek ekzekutivi. Këta udhëheqës kanë prirje ta flakin pluralizmin, qoftë edhe vetë idenë se pushteti politik shpërndahet midis aktorëve të shumtë, qeveritarë dhe joqeveritarë. Në vend të tyre, ata vetëshpallen rëndom si përfaqësuesit e vetëm dhe unik të «popullit».

Rexhep Taip Erdogani në Turqi, Vladimir Putini në Rusi dhe Nikolas Maduro në Venezuelë janë shembuj klasik burrash të fortë. Kundërshtarëve u drejtohen me lehtësinë më të madhe duke i cilësuar si antipatriotik dhe i sulmojnë duke i akuzuar se janë në shërbim të «interesave të huaja». Këta politikanë ushqejnë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme një formë morali antipluralizmi. Burrat e fortë e përpijnë polarizimin e pushtetit: me t’u zgjedhur, tre udhëheqësit e sipërcituar e përshkruan opozitën si të paligjshme, imorale dhe i cilësuan anëtarët e saj si «armiq të popullit». Maduro i quajti madje ata që votuan kundër tij- tradhtarë.

A nuk ju kujton kjo politikanin amerikan të sapozgjedhur? Prova: në nëntor 2016, Donald Trump iu referua «miliona zgjedhësve ilegalë» për të shpjeguar se përse e humbi votën popullore. Sigurisht, disa burra të fortë janë më autoritarë se të tjerët, dhe një kuadër institucional i rreptë mund t’i kufizojë fushat e veprimit të tyre. A ka hyrë Trump-i në klubin e madh të populistëve autoritarë, e pra përkrah Putinit dhe Erdoganit? Do ta zbulojmë së shpejti.

Një vit sfidash për demokracinë

2017 do të shohè ardhjen në pushtet të burrave të fortë në Uashington, Budapest, Moskë, Manila dhe Karakas. Çfarë nënkupton kjo situatë, e padëgjuar në historinë e re, për skenën politike ndërkombëtare? Para së gjithash, ajo simbolizon një krizë të thellë të diplomacisë, me një rrezik real infektimi. Nën mishërimet e tyre më ekstreme, siç janë liderët autoritarë të Venezuelës dhe të Rusisë, organizimi i zgjedhjeve të lira nuk është madje më i nevojshëm përderisa presidentët e tyre e dinë tashmë se çfarë do vërtet «populli».

Por burrat e fortë mund të tregohen gjithashtu tepër luftarakë në fushatat zgjedhore kur zgjedhësit kanë ndjesinë se aktorët politikë  tradicionalë nuk u përgjigjen pritshmërive të tyre, siç e pamë në rastin e Filipineve. Fitorja e vrullit zgjedhor populist, dëshmuar nga Brexit-i dhe zgjedhja e Trump-it, nuk ndodhi në vende të vogla me shikueshmëri të kufizuar, por, përkundrazi, u konfirmua në dy  prej  demokracive bashkëkohore më të lashtat dhe më të sprovuarat. Por, këto dy vende, pavarësisht vështirësive të ndryshme, kanë luajtur një rol vendimtar në ushtrimin e demokracisë në mbarë botën.

Kështu, një nga pasojat e fitores populiste të Shtëpisë së Bardhë do të shënjojë rënien e ndikimit amerikan. Për më tepër, zgjedhja e Trump-it ka patur tashmë një impakt negativ mbi soft-power-in amerikan. Shtetet e Bashkuara janë tani e tutje më pak të aftë për të tërhequr dhe për të kooptuar (në vend që të imponohen përmes forcës), duke dobësuar legjitimitetin e pushtetit demokratik gjetiu në botë. Kjo prirje do të rezultojë veçanërisht e vërtetë nëse Trump-i këmbëngul në disa prej premtimeve të tij zgjedjore, konkretisht në   projektin e tij të diskriminimit të disa njerëzve të besimit mysliman.

Trump në forcë

Sa më shumë të forcohen dhe të zhvillohen lëvizjet dhe rrymat islamofobe në demokracitë perëndimore, Shtetet e Bashkuara, ndër të tjerë, do të humbasin çdo legjitimitet në kritikat e tyre ndaj qeverive të Kinës, të Birmanisë e të tjera, për mënyrën se si i trajtojnë ata minoritetet fetare. Nën qeverisjen e Trump-it, ka shumë gjasa që Shtetet e Bashkuara të harxhojnë më pak para në mbështetje të grupeve të ndryshme mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe për demokracinë.
Nëse është e shëndetshme dhe legjitime të kritikohet politika e jashtme amerikane për dosje të shumta, duhet respektuar gjithashtu investimi masiv i Uashingtonit – rreth 10 miliard dollarë në vit çprej dhjetë vjetësh, pranë OJF, të gazetarëve dh grupeve  opozitare në regjimet diktatoriale nëpër botë.
Trump-i e ka pohuar shumë qartë se ai nuk sheh asnjë interes për të mbrojtur apo promovuar demokracinë në botë, dhe ka lëvduar madje meritat e burrave të fortë si Vladimir Putini, Viktor Orbani dhe Rodrigo Duterte. Këto dy qëndrime do t’i reduktojnë në mënyrë të konsiderueshme mundësitë për presion mbi qeveritë autoritare në botë.

E vërteta, pluralizmi dhe stabiliteti drejt zhdukjes

Rikthimi në shkallë botërore i burrave të fortë përkon me erën e post-të vërtetës. Kjo prirje kërcënon avantazhin e rëndësishëm të demokracive përballë regjimeve autoritare: përdorimi i të dhënave në dispozicion, transparente për të formuluar politika publike dhe për të përfituar nga dialogu i shëndetshëm për të zgjedhur përfaqësues dhe udhëheqës të mirinformuar dhe kompetentë. Ato janë sigurisht të zhurmshme, por në fund të fundit relativisht të moderuara dhe prodhuese të një farë stabiliteti.
Lulëzimi i informacioneve të rreme paraqet gjithashtu një sfidë të re për demokracitë. Organet e shtypit, në luftë për t’u përshtatur me erën dixhitale, nuk i kanë mundësitë për të financuar gazetarinë investiguese, konkretisht në nivel lokal. Ndërkohë, rrjetet dhe mediat sociale kontribuojnë në fragmentimin social. Sot, vetëm disa burime të përqendruara shpërndajnë informacion për pjesën më të madhe të shoqërisë.

Nga kjo rezulton një mjedis i shënjuar nga mosbesimi, dhurata e vërtetë nga qielli për burrat e fortë të erës së post-të vërtetës si Trump-i apo Putini. Demokracitë priren gjithashtu të përqafojnë diversitetin dhe globalizmin, duke u bërë hyjnizues të integrimit të emigrantëve të mbarë botës. Në shumicën e demokracive ķ, përqindja e popullsisë së lindur jashtë shtetit ka mbetur e pandryshuar, në rreth 10 % çprej shumë vitesh, në Kanada dhe në Australi, ky proporcon arrin edhe 20 %.

 

Ç’model qeverisës?

 

Modeli qeverisës i burrit të fortë mbështetet tek përçarja dhe frika: Trump-i si Putini nënvizojnë vazhdimisht rreziqet që perfaqësojnë Tjetri dhe i huaji, qofshin këta «bad hombres» nga Meksika për Trump-in apo OJF-të ruse të financuara nga të huajt për Putinin. Shumica e vëzhguesve presin që tani e tutje Shtetet e Bashkuara të tërhiqen nga marrëveshjet bilaterale të nënshkruara dhe madje edhe nga aleancat e bashkëpunimit ushtarak dhe të mbrojtjes, duke e reduktuar akoma më shumë rolin e Shteteve të Bashkuara në skenën ndërkombëtare.

Demokracitë janë perceptuar tanimë si regjime shumë më krijuese destabiliteti ekonomik sesa regjimet autoritare, një fakt i paimagjinueshëm disa vite më parë. Për më tepër, po të marrim parasysh që sondazhet dështuan në parashikimin e Brexit-t dhe Trump-it, tregjet do të jenë tani e tutje edhe më të pastabilizuara  në çdo zgjedhje. Në vetvete, fjala është për një lajm të keq: investitorët kanë para së gjithash nevojë për parashikime të besueshme. Në të njëjtën kohë me epokën e burrit të fortë, viti 2017 ka shumë rrezik të jetë viti i një destabiliteti të madh ekonomik me pasoja shkatërrimtare. Ky skenar, nëse mbizotëron për një kohë të gjatë në gjirin e demokracive, riskon të vërë në rrezik vetë thelbin e qeverisjes demokratike, nga pikëpamja morale, strategjike dhe ekonomike.

Trumpi et Putini: një çift i lumtur?

Trumpi nuk e njeh Putinin, -pat deklaruar në një debat në tetor 2016 presidenti i ardhshëm amerikan. Edhe nëse bëhen miq, kjo nuk do të garantonte aspak një marrëdhënie të qëndrueshme midis dy vendeve. Ideja që një miqësi personale midis dy burrave të fortë do të prodhonte një aleancë të fortë është krejtësisht e rreme. Kjo e fundit varet pikësëpari nga aftësia e tyre për t’u marrë vesh për marrëveshje institucionale, të cilat janë në përgjithësi shumë më jetëgjata.

Erdogani ishte aq i afërt me sirianin Bashar el-Assad saqë familjet e tyre niseshin për pushime së bashku. Çka nuk i pengoi të prisheshin dhe të prodhonin një nga armiqësitë më të mëdha të Lindjes së Mesme. Duket se aktualisht Rusia mund të përfitojë gjerësisht nga një ndryshim i frymës politike në Shtetet e Bashkuara. Trumpi ka folur madje me terma tepër nderues për homologun e tij rus, duke përmendur përciptas përzierjen e Kremlinit në zgjedhjet amerikane.

Por njëri mund ta lëshojë shumë shpejt tjetrin. Megjithëse politikanët dinë përgjithësisht t’i ndajnë ndjenjat personale nga   aktet e tyre politike, Trumpi dhe Putini, vanitozë dhe të rreptë si njëri edhe tjetri, do të jenë me siguri pak të prirur për kompromise apo të bëjnë hapa prapa nëse u kërcënohet egoja. Pasiguri të tilla, pa precedent, paralajmërojnë fat të keq për rritjen. Megjithatë, për populistët e mbarë botës, prania e burrave të fortë në Uashington dhe në Moskë është një sinjal pa ekuivok.

Zgjedhja presidenciale në Francë, ku Marine Le Pen është një kandidate favorite do të përcaktojë nëse 2017 është vërtet viti i burrave (apo i gruas) të fortë. Fitorja e saj do t’i binte kambanës së Bashkimit evropian. Ndërsa zgjedhësit francez dhe gjerman po përgatiten të votojnë, sfidat nuk kanë qenë kurrë kaq të larta.

_____________

*Olivier Stuenkel është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në fondacionin Getúlio Vargas, pranë departamentit të historisë dhe shkencave sociale të  San Paulos (Brazil).