Programi i ri i fluturimeve, drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, nga kompania WizzAir, do të nisë nga maji i këtij viti, në aeroportin e Kukësit “ZAYED-Flatrat e Veriut”.

Këtë e ka bërë të ditur Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të premten e 4 shkurtit, nga pista ku u krye ulja e pasagjerëve të parë të kompanisë ajrore “low cost”.

Gjithashtu, Balluku tha se është marrë konfirmimi për këtë aeroport edhe nga vetë aleanca e NATO-s, e cila e ka certifikuar atë.

“Aeroporti i Kukësit është pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s dhe kjo tregon që do të plotësohen të gjitha kushtet e sigurisë të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) dhe NATO”,tha ajo.

Kompania WizzAir, këtë paradite, ka ulur avionin e saj të parë, për të nisur më vonë me fluturimet drejt katër destinacioneve në linja direkte drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicërës. Fillimisht, frekuenca do të jetë dy fluturime në javë, për secilën linjë.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e rastit, bëri të ditur se është në bisedime me kompaninë WizzAir, për të vendosur një fluturim drejt Anglisë.

“Destinacion tjetër i rëndësishëm është Anglia. Unë nuk do i ndahem Kukësit, derisa djemtë e Londrës nga Kukësi të kenë fluturimet e tyre me tarifa krejtësisht simbolike”, deklaroi ai.

Kreu i Qeverisë, ka shpjeguar se, nga maji, këto fluturime do të jenë të vijueshme dhe jo thjesht për sezonin.

“Nga sot kompania është e vendosur edhe në Kukës dhe fillon me pronotimet për katër destinacionet e para nga dy herë në javë, të cilat nga maji do të jenë destinacione të vijueshme dhe jo thjeshtë për sezonin.”, u shpreh ai.

“Çmimet janë 19 euro për secilin destinacion”, nënvizoi Rama, për fluturimet që do nisin në maj.

Kryeministri e vuri theksin edhe te punësimi.

“Sot kompania WizzAir ka 200 të punësuar dhe plani është për 500 të punësuar. Janë vende pune cilësore të paguara mirë”, vijoi ai.

Të premten e 9 korrikut u ul për herë të parë avioni i linjës nga Zyhriu në Aeroportin e ri Ndërkombëtar “Zayed-Flatrat e Veriut’’ në Kukës.

Zyrtarisht u hap porta e dytë nga qielli për Shqipërinë për fluturimet komerciale.

Ndërkohë të martën e 20 prillit u nënshkrua marrëveshja me kompaninë e Behgjet Pacollit, për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Balluku ka prezantuar fazat në të cilat do të kalojë projekti, ku brenda 14 muajve do të nisin punimet për ndërtimin e tij.

Rama vazhdimisht ka theksuar faktin se katër portat hyrëse nga qielli do të hapen “me se s’bën” në Shqipëri, ku e katërta, lidhet me një projekt për një aeroport sezonal në Korçë.  /Albanianpost.com