Mbrëmë në 20.30, në një nga pallatet e “Rrugës së Kosovarëve”, teksa shkonte në banesën e tij, u ekzekutua Artan Cuku, një nga personalitetet e spikatur në detyrat më të vështira të Policisë së Shtetit viteve të fundit. Ai ka kryer detyrën e Drejtorit të Policisë së Tiranës, drejtorit të Policisë së Vlorës, nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Krimeve të Rënda… Më në fund, sipas Aleks Hajdarit, kryetar i shoqatës së efektivave të Policisë në Lirim, Artan Cukun e “persekutuan në detyra më të ulëta, derisa e pushuan nga puna”. Zoti Hajdar thotë se vrasja e zotit Artan Cukut lidhet “drejtpërdrejt me detyrën e tij si ish- funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.

Përshkrimi i ngjarjeve rreth Artan Cukut gjatë periudhës që shërbeu në Policinë e Shtetit, “persekutimi” i tij ka nisur që në vitin 2013 kur qeveria e majtë socialiste mori pushtetin dhe nisi “gjuetinë e shtrigave” kundër atyre që nuk janë “tanët” qoftë edhe nga radhët e Policisë së Shtetit.

Rasti i vrasjes së Artan Cukut është “manual” për pjesëmarrjen prudente, por jo të drejtpërdrejtë të shtetit, në vrasjen e një funksionari që “nuk i shërben partisë sonë”.

Ish- kryeministri Berisha kërkoi sot që Prokuroria të zbulojë të vërtetën e vrasjes. Ai tha se klani i Rilindjes në pushtet “e lëshuan Artan Cukun në këmbët e krimit dhe të kriminelëve” që ai kishte ndëshkuar gjatë periudhës që ushtronte detyrën e lartë në Polici. Pasi u angazhua 16 vjet në detyra të larta e të vështira përballë krimit, Cuku u la në rrugë, pa punë, pa armë, pa uniformë policie, pa imunitet dhe pa mjete jetese. Në një klimë si kjo, tërthorazi, shteti i thotë krimit: “Ja ku e keni gjahun”.

Kryetar i Opozitës, Lulzim Basha, sot në një fjalim të mbajtur në Çadrën e Lirisë ku po protestohet kundër qeverisë, tha se “shteti akoma nuk ka reaguar për vrasjen e Artan Cukut”. Sipas zotit Basha, kjo është ende një dëshmi se shteti është në bashkëpunim me kriminelët.

Gjatë vitit të fundit- veçanërisht- media dhe opozita politike kanë akuzuar qeverinë se e ka kthyer Vlorën në një rajon ku kryhet trafiku i drogës për llogari të qytetarëve, drejt Europës. Drejtpërdrejt është akuzar Ministri i Brendshëm se “në krye të policisë ka dërguar njerëzit” e përshtatshëm për të udhëhequr trafikun në bashkëpunim me kriminelët. Artan Cuku u largua nga detyra e drejtorit të Poliicsë në Vlorë pikërisht në periudhën kur po niste aktiviteti “i dyshuar” i qeverisë. Në vend të tij qeveria vendosi militantët besnik.

Aleks Hajdari kujton momentet kur Cuku u lirua nga ish­kryepolici Didi. Por ai thotë se Cuku edhe pse mundi të fitojë gjyqin për rikthim në detyrë, vendimi gjyqësor asnjëherë nuk u zbatua nga krerët e lartë të policisë, për futjen në punë të tij, duke e lënë mes katër rrugëve dhe të pambrojtur përballë dorës kriminale. Ligjërisht Cuku ishte në detyrë, por shteti as e paguante as e ruante.

 

 

Artan Cuku “ka shërbyer në disa nga qytetet dhe zonat më problematike në raport me shkallën e kriminalitetit të lartë siç janë Shkodra, Durrësi, Tropojë, Tiranë e Vlorë si dhe Drejtues i Lartë në DPPSH. Në të gjitha këto detyra ka mbajtur funksione të larta drejtuese, ku me punën, guximin, vendosmërinë, profesionalizmin e tij dhe stafit me të cilët ka punuar ka arritur rezultate të ndjeshme në luftë kundër krimit dhe trafiqeve të paligjshme” shkruan zoti Hajdari.

Vrasja mafioze e natës së djeshme ndaj ish­ drejtuesit dhe kolegut tonë tregon me zë të lartë se sa të braktisur dhe të pasigurte është sot e gjithë armata e ish­-drejtuesve dhe ish-punonjësve të policisë që sot ndodhen në rrugë, në mëshirë të fatit, të ekspozuar përballë krimit dhe politikave të ndërmarra nga një prej drejtuesve më famëkeq që ka njohur dikasteri i MB dhe ish- Drejtori i Policisë së Përgjithshme Artan Didi- tha Hajdari për median

Ndërsa qeveria ka liruar një sallë për homazhe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, akoma nuk dihet nëse familja Cuku do ta pranojë. Por megjithatë edhe kjo sallë shihet me dyshim.

/Veritas.com.al/