Vizita e paralajmëruar e Alexander Vuçiç në Kosovë- siç ishte paralajmëruar- nuk do të bëhet.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do të udhëtojë të mërkurën në Kosovë, sepse nuk pranon, siç tha, “shantazhe”.

“Nuk vjen në konsideratë ky lloj presioni dhe cirku që ka bërë Prishtina”, tha Vuçiç, transmeton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Qeveria e Kosovës tha më herët se ka marrë vendim që t’i lejojë Vuçiqit të shkojë në Kosovë, në vizitën e paralajmëruar për fushatë zgjedhore.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se “pas kushteve të shumta të vëna nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe pas diskutimeve të fundit në lidhje me vizitën, është marrë vendimi për lejimin e tij (Vuçiqit) që të vijë në Kosovë”.

“Kjo do të jetë edhe hera e fundit që lejohen të hyjnë zyrtarë serbë me qëllime të bërjes fushatë”, tha Hoxhaj.

Vuçië po zhvillon fushatën e tij zgjedhore të Serbisë ku ka kandiduar për president të Republikës.

Zgjedhjet presidenciale në Serbi mbahen më 2 prill dhe Vuçiç është njëri nga kandidatët.