Policia e Tiranës ka vënë në pranga ish-drejtorin e OST-së (Operatori i Sistemit të Transmetimit), Klodian Gradeci.
Përmes një njoftimi zyrtar nga policia bëhet e ditur se personi në fjalë është arrestuar.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kujtojmë që më herët, këtë vit, Gjykata e Tiranës miratoi masat e sigurisë arrest me burg për 4 zyrtarë të AKBN-së, dy punonjës të tatimeve dhe dy biznesmenë të naftës, që akuzohen se i kanë shkaktuar AKBN një dëm 1.4 milionë dollarësh.
Zyrtarët në bashkëpunim me njëri-tjetrin certifikuan në mënyrë të kundraligjshme punimet e pakryera të pasqyruara në fatura si punime të kryera, duke zhvatur vazhdimisht buxhetin e shtetit.
VERITAS.COM.AL/