Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim deklaroi se SHBA nuk mund të kishte kërkuar një mik më të mirë se Shqipëria, në aktivitetin e organizuar për 100 vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe, ku ishte i pranishëm dhe ish-sekretari Mike Pompeo.
Ndërsa përmendi disa nga pikat kyçe të bashkëpunimit mes dy vendeve, diplomatja amerikane u shpreh se tashmë po punohet për dy projekte energjetike që do ta bëjnë Shqipërinë një faktor kyç në këtë sektor dhe do të ndihmojnë për të ndërprerë varësinë nga energjia ruse.
“Pavarësisht kush ulet në Shtëpinë e Bardhë marrëdhëniet SHBA-Shqipëri janë të pathyeshme. Jam e kënaqur që jam këtu dhe që përkujtojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve. Në 1991 Shqipëria zgjodhi me vullnet të lirë një rrugë të re demokratike. Vitin e kaluar ju mikpritet 2500 afganë duke i mbrojtur atë. Ne po bëjmë shumë gjëra së bashku. Për herë të parë ushtria e SHBA do të ketë një prani ushtarake. Jemi duke punuar për dy projekte energjetike që do ta bëjnë Shqipërinë një faktor kyç dhe kjo do të na shpëtojë nga shtypja dhe vjedhja e rusëve. Jemi duke punuar bashkë kundër agresionit të Putin. Për të parën herë ne kemi vendosur një prani të trupave këtu. Nuk mund të kishim kërkuar një mik më të mirë se Shqipëri”, tha Yuri Kim.