Frrok Çupi/

Ç’i ndodhi Amerikës me 11 shtator?! Jo veç me 11 shtator 2001; edhe këtë 11 Shtator të fundit. Njërit nga dy kandidatët për në Shtëpinë e Bardhë- shtëpia më e famshme e botës- i ra të fikët bash aty ku u shënua akti i 2001. Akti i kobshëm është koduar si 11/9. Një burrë shteti i asaj dite, kancelari Gjerman Gerhard Schröder, tha se “sot ndryshoi bota”. Prapë, edhe sot, në Shtatorin e vitit 2016, në të njëjtën ditë, në të njëjtin vend, ndryshoi një gjë e madhe: Kandidatja për President ra në gjunjë e sëmurë; për herë të parë në historinë e Amerikës…  Magjistarët, besimtarët e magjisë dhe ata të teorive konspirative, kanë “të drejtë” ta lidhin të keqen me 9/11.

Prej një kohe të pacaktuar miliona njerëz në botë kanë besuar dhe besojnë se “trekëndëshi i Bermudës është real”; besojnë se ajo pikë oqeani thith vaporë nga deti dhe avionë nga qielli. Më duket se në mënyrën si besohen të dyja (Bermuda dhe 11 Shtatori) ka një lidhje.

Jo veç ditën e Dielë kur ndodhi që Hillary Clinton ra për shkak të një pneumonie, por edhe të Hënën pas, edhe sot- e Martë, gjithë bota e informacionit gëlon. Duket se ora Amerikane ka nisur të punojë me akrepat për nga orët e kaluara. Vetë zonja Clinton ka nisur e para; ajo ka shpjeguar se si kishte ndodhur para se të binte në gjunjë e sëmurë. Tregoi se dy ditë para datës 11 ishte diagnostikuar me penomani; por nuk kishte thënë gjë. Njerëzit e saj të afërm treguan se, kohë më parë, kishte kryer një operacion për mpiksje gjaku, por “tani nuk ka asnjë gjurmë” nga sëmundja, thanë.

Edhe në këtë rast, duke shpjeguar çfarë kishte ndodhur më parë.

Sot, përsëri njerëz të afërt në fushatën e zonjës Clinton, u ndjenë të “detyruar” të shpjegojnë për votuesit amerikan çfarë kishte ndodhur. “Ditë e gjatë pune, gjumë pak, udhëtime kryq e tërthor vendit, ushqim i keq dhe puthje bebeve…, si të mos marrë sëmundje kandidatja?!”. Edhe dikush tjetër iu kthye “akrepave të orëve të shkuara” dhe zbuloi një sekret. Brooke Buchanan, ish sekretari për shtypin i kandidatit presidencial John McCain, në zgjedhjet e vitit 2008, ka treguar se kandidati qenka paraqitur në urgjencë në Beaufort, sepse iu shfaq një “pengesë në frymëmarrje dhe infeksion në të dy veshët”. Edhe presidentit aktual, Obama del se i paska ndodhur një kollë e thatë, në një moment para konventës së Partisë Demokratike, por ky e paska kaluar lehtë duke thënë: “Haj, se prandaj e kam me vete shaminë e duarve”. Mirëpo aspak më shumë; se atëherë ndodh që “të marrësh ca vitaminë C ose të biesh të flesh mirë, por po humbe kohë- ke humbur betejën”, siç tha Dan Pfeiffer, ndihmës i Obamës.

Ajo çfarë ndodhi më 11 shtator të këtij viti po bën një efekt të rrallë mbi Amerikën. (Kur thua “Amerikë” ke thënë se efekti është i përbotshëm). Minimumi i asaj që ndodhi është se prej tre ditësh, që nga data 11, Amerika dhe të tjerë, i kanë drejtuar sytë andej nga orët që kanë kaluar. Të gjithë po shikojnë çfarë ka ndodhur. Kjo është fenomenale për një shtet, për një demokraci dhe për një shpejtësi në drejtimin “nesër, jo dje”, siç është kahja amerikane.

Tani, miliona votues amerikanë po pyesin pse zonja Clinton nuk kishte dëshmuar për problemet shëndetësore. Bashkë me këtë, sidomos votuesit kundërshtarë ose neutral, po thonë se Hillary nuk na tregoi shëndetin, ashtu siç mbajti për vete edhe punën e Email-eve të klasifikuara. Data 11 i bëri të kthehen pas shumë e shumë njerëz. Dy nga analistët e afërt të çështjeve amerikane që punojnë për Agjencinë Reuters, Steve Holand dhe Alana Wise shtrojnë pikëpyetje rreth fatit të garës presidenciale. “Sëmundja është mbajtur sekret nga Hillary- shkruajnë ata- por ka ngritur shumë shqetësime mes Demokratëve, ajo rrezikon të mos shkojë në finale”. Me këtë mund të ushqejë kundërshtarin Tramp, shkruajnë.

Vox News po e mban afër vetes këtë çështje, thuajse si një “ushqim”. Media ka kthyer sytë thuajse nga e shkuara. Vox News ka hyrë në historinë e presidentëve amerikan  që “nuk janë treguar të hapur” para publikut rreth shëndetit të tyre. “Ka një numër kandidatësh ose presidentësh që kanë qenë më të sëmurë se sa e dinte publiku”, shkruan.

Tani po del se “Bushi i madh”, George HW Bush, president i SHBA, paska vjellë para kryeministrit japonez. Të birit, George W. Bush, i paska rënë të fikët në Shtëpinë e Bardhë sepse “u mbyt”. Franklin Roosvelt kishte probleme me shëndetin më shumë se sa njiheshin. Edhe John Kennedi nuk tha kurrë gjë për problemet në shtyllën kurrizore…

Tani më në fund, votuesit amerikanë janë të “imponuar” ta shikojnë fushatën e tyre me syrin “çfarë ka ndodhur?”. Kandidati Republikan, Donald Tramp ka paraqitur një deklaratë të mjekut mbi shëndetin e tij. Mjeku, para dy javësh, tha se “Tramp ka një shëndet tamam për president të Amerikës”. Mirëpo kundërshtarët e tij, duke përfituar nga patetizmi i doktorit, po thonë se kjo ishte “deklaratë kuturu”. Përsëri, edhe këtu dyshime; dyshime se çfarë ka ndodhur më parë. Njerëzit me mendje zhbiriluese nuk mund të rrinë pa hyrë në jetën e dy kandidatëve. Këta tani po thonë se “Hillary, 68 dhe  Donald, 70; si mund të jenë pa defekte në shëndet?!”.

… Plot gjëra i ndodhën Amerikës (dhe botës) më 9/11. Kësaj here Amerika, të paktën,  u detyrua të kthejë akrepat drejt orëve të kaluara në shëndetin e presidentit të ardhshëm. Magjistarët dhe konsperacionistët shkojnë edhe më thellë; deri në paralelen me trekëndëshin e Bermudës.

/Veritas.com.al/