Edhe në këtë 13 vjetor të tragjedisë së Gërdecit familjarët e viktimave janë mbledhur të gjithë bashkë për të kujtuar të dashurit e tyre në këto ditë të madhe dhimbjeje.
Ajo që u vu re sot në Gërdec ishte mungesa totale e politikës. Banorët thonë se janë lënë vetëm në dhimbjen e tyre, teksa sjellin në vëmendje ato momente të tmerrshme të 15 marsit 2008.
Me lule në duar dhe me lot në sy dhe me pengun e madh që nuk u vendos kurrë drejtësia disa prej tyre kanë folur për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta.
‘Më plas shpirti o Arsen ç’të të them! Si ikën 13 vite?”, prek me fjalët e saj Zamira Durda, mamaja e Edison Durdaj, 7-vjeçarit të vrarë në 15 mars 2008, dhe që prej 13 vitesh nuk ka lënë asnjë seancë në shkallët e ndryshme të gjykatave në vend.
“Vetëm ma kanë përplasur surratit Gërdecin, të gjithë. Kanë qenë një bandë kriminale ata që e kanë bërë Gërdecin. E kam çuar në Gjykatën evropiane të Drejtave të Njeriut. Është një gjyqtar, Ledo Bianku që ma pengon çështjen në Strasburg. Prej vitit 2009 nuk e kam një përgjigje”, vijon ajo.
“Unë nga politika nuk pres asgjë, pres nga drejtësia. Edhe këta në pushtet nuk na afrohen. Kjo do të thotë që janë të gjithë njësoj. E përdorën politikisht Gërdecin. Erdhën në pushtet”, thotë me forcë Zamira, e cila bën me dije se para 2 javësh e ka riçuar çështjen në SPAK.
Për mikrofonin e Report Tv ndalet edhe Fadil, të cilit ai shpërthim i fuqishëm i mori bashkëshorten, e cila kishte vetëm 10 ditë që kishte filluar punë dhe paguhej me 1000 lekë në ditë.
“Ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Të dhimbshme kanë qenë këto 13 vite. Bashkëshortja për 10 mijë lekë në ditë punonte. Kishte 10 ditë që kishte filluar punë. Kryesorja për mua është të arrihet drejtësia. Ta marrin vesh edhe fëmijët se çfarë ndodhi. Ne e cilësojmë një tragjedi me dijeninë e shtetit”, thotë Fadili.
“Kur nuk u bë gjë atëherë s’bëhet tani. Ne vijmë kujtojmë njerëzit tanë, askush nuk na kujton më”, thotë një tjetër familjare.
Nga ai shpërthim i fuqishëm i 15 marsit të 2008 rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, ende nuk ka asnjë person pas hekurave/ Shqiptarja.com.