Ambasadorët e Bashkimit Europian, kanë zgjatur edhe për gjashtë muaj ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vizave për 150 zyrtarë rusë dhe separatistë ukrainas të mbështetur nga Moska.
Diplomatët e BE-së, duke folur në kushte anonimiteti për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se masa do të miratohet edhe zyrtarisht në ditët vijuese.
Ngrirja e aseteve dhe ndalimi i vizave janë vënë fillimisht ndaj këtyre personave, sepse janë konsideruar përgjegjës për cenimin e integritetit territorial të Ukrainës më 2014, pasi Rusia ka marrë nën kontroll Krimenë.
Prej asaj periudhe sanksionet janë zgjatur çdo gjashtë muaj.
Diplomatët evropianë, kanë thënë se ambasadori i ri i Rusisë në SHBA, Anatoly Antonov, vazhdon të jetë në listën e sanksioneve.
Rusë të tjerë të përfshirë në sanksionet e BE-së janë edhe zëvendës-kryeministri, Dmitry Rogozin, shefi i stafit të forcave të armatosura, gjenerali, Valery Gerasimov dhe prezantuesi i televizionit shtetëror, Dmitry Kiselyov.
Veritas.com.al/