Në orët e para të mëngjesit mbërritën dy avionë të tjerë me 182 afganë në vendin tonë mes të cilëve edhe fëmijë. Në orën 3.50 mbërriti në aeroportin e Rinasit avioni me 154 pasagjerë, 108 prej të cilëve u vendosën në Qytet Studenti dhe pjesa tjetër në struktura hoteliere në Durrës.

Ata u pritën nga zv.ministrja e Jashtme, Megi Fino, vajza e ish deputetit të ndjerë të PS Bashkim Fino, e cila u shfaq në publik për herë të parë në kongresin e PS. Ndërsa pak më parë mbërriti avioni i pestë nga Afganistani brenda 72 orëve me 28 persona në bord, të cilët u vendosën në Tiranë. Lajmin e bën me dije ministria e Jashtme. 182 personat e mbërritur sot e çojnë në 457 numrin e qytetarëve afganë të ardhur në vendin tonë deri tani, të cilët janë strehuar në dy hotele në Durrës dhe në godinat 11 dhe 12 në Qytetin Studenti.

Pas mbërritjes së fluturimeve të fundit në një reagim kryeministri Edi Rama  shprehet se ata u shpërngulen nga lufta dhe u mikpriten në Shqipërinë e besës dhe respektit për kujtesën traditën dhe vetveten. Sipas Ramës mikpritja e Shqipërisë tani flitet me admirim nga opinioni ndërkombëtar.

Avioni i parë nga Kabuli solli 121 afganë në Shqipëri më 26 gusht, ndërsa gjatë 2 fluturimeve të tjera një ditë më pas erdhën 154 persona të ndarë në 2 grupe. Më 27 gusht avioni i parë që mbërriti në orën 22:45 me 95 afganë në bord nga Kabuli, ndërsa në fluturimin e dytë që mbërri në Rinas në orë 01:00 pas mesnate që ishte tranzit në Doha erdhën 59 afganë.

Të gjithë afganët që kanë mbërritur fillimisht janë regjistruar në çadrat e ngritura në Rinas dhe më pas janë shoqëruar për t’u akomoduar një pjesë në konviktet e Qytet Studentit, ndërsa pjesa tjetër në hotele në Durrës. Pjesa më e madhe e tyre janë zëra të shoqërisë civile, aktivistë dhe studentë dhe gra që kishin ngritur zërin për të drejtat e tyre dhe u rrezikohej jeta nga telebanët. Kryeministri Rama deklaroi se një pjesë e afganëve të mbërritur, janë aktivistë pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre. Grupet e para pasi janë akomoduar në ‘Qytet Studenti’, jane  pare duke shetitur në zonën që për ta është shndërruar tashmë si një shtëpi e dytë, ndonëse jo për shumë kohë, pasi me të filluar viti i ri akademik, ato do të largohen për t’u strehuar në ambiente të tjera, me shumë gjasa hotele si grupet e tjera.