Pas shtyrjes së mbledhjes Këshillit të Mandateve për nesër, kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se është Edi Rama ai që po i jep kohë Saimir Tahirit për të prishur provat.
Basha ka paralajmëruar se mundësitë për të zgjidhur këtë situatë janë duke u zvogëluar në mënyrë të shpejtë, duke paralajmëruar se opozita e bashkuar do të bëjë lëvizjet e saj.
“Edi Rama ka urdhëruar sot mbrojtjen e Saimir Tahirit, njeriut të regjistruar nga Italia për trafik droge dhe armësh. Saimir Tahiri është njeriu që mbronte bandën ‘Habilaj’ dhe për këtë gjë merrte para”, tha Basha.
Sipas tij, këto prova të Italisë dhe prova të tjera janë paraqitur nga prokuroria për imunitetin e Tahirit.
“Rama tregoi sot se e vërteta që e lidh me Saimir Tahirin është më e fortë se sa ato që thotë përditë, drejtësi. Nuk ka drejtësi me Edi Ramën. Provat administrohen nga gjykata, prandaj Rama rrëmon dhe gënjen kur thotë se ka apo s’ka prova.
Faktet tregojnë qartë se parlamenti nuk ka rrugë tjetër përveç se ti heqë imunitetin Saimir Tahirit. Me qëndrimin e sotëm, Saimir Tahirit iu blenë edhe 24 orë, gjatë të cilave do të prishen më shumë prova, do të ndërpriten lidhje me ministra të tjerë. Do të çohen më shumë misionarë dhe numra llogarish bankare. Opozita e bashkua e ka marrë një vendim: Largimi i Edi Ramës dhe një qeveri antimafia. Mënyrat dhe opsionet për të arritur këtu, po zvogëlohen me shpejtësi të madhe”, deklaroi ndër të tjera kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Veritas.com.al/