Ish-Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, mori pjesë në prezantimin e dy volumeve të kolanës së botimeve parlamentare për reformën.
Teksa mbushen tre vite nga miratimi i këtij projekti kushtetues, Xhafaj bëri një bilanc të zgjeruar duke theksuar se tashmë reforma në drejtësi është një realitet i prekshëm ku frytet e para të së cilës janë të vlerësuara pozitivisht në mjedisin shoqëror, vendas dhe ndërkombëtar.
Deputeti socialist siguron se “periudha tranzitore do të kapërcehet shumë shpejt dhe se gjërat do të shkojnë në vendin e tyre ku të gjithë do të shohin qartazi vlerat e asaj çfarë kemi ideuar dhe ndërtuar përmes vështirësive e pengesave të shumta”.
Ish ministri i Brendshëm u ndal edhe te kritikat e opozitës ndaj reformës në drejtësi për të cilat argumenton se “disa vijnë nga mosnjohja, disa nga xhelozia e natyra nihiliste e autorëve, por një shumicë janë në funksion të qëllimit për delegjitimimin e procesit, zbehjen e vlerave dhe besueshmërisë së tij”.
“Dikush qan hallin e drejtësisë së vonuar duke kujtuar numrin e madh të dosjeve në rafte, disa të tjerë nuk dinë se çfarë kërkojnë dhe çirren se reforma po kapet!
Harrojnë që deri dje që Gjykata e Lartë ishte aty e tëra dhe ishin mijëra çështje në raftet e saj prej vitesh ashtu sikundër janë me mijëra dosje në pritje dhe me vite vonesë apo në zvarritje dekadash në shkallët e tjera të gjyqësorit. Sigurisht më mirë një vit vonesë se sa një drejtësi e blerë dhe e shitur si mall nën pushtetin e fuqisë së pushtetit apo të fortit të parasë apo krimit. Ndërkohë që deri dje gjykata kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe çdo institucion i sistemit dhe vet karriera e gjyqtarëve e prokurorëve përcaktohej nga politika, nga vullneti i pushtetit të radhës ndërsa drejtësia e re që po ngremë përmes kësaj reforme garanton që qëndrueshmëria, karriera dhe promovimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe pushtetin, po me vlerat dhe integritetin”, nënvizon Xhafaj.
“Prokuroria e djeshme ishte e mbërthyer nga drejtues të paaftë, të korruptuar dhe shërbëtorë militantë politikë dhe nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me institucionet e reja të drejtësisë penale, me SPAK dhe BKH të formuar me gjyqtarë, prokurorë e polic të skanuar në filtrat e vetingut, të emëruar mbi një proces konkurimi pa asnjë pikëlidhje me politikën dhe kryesorja nën një monitorim të fortë ndërkombëtar nga misionet e asistencës të SHBA e BE, (OPDAT dhe EURALIUS) dhe akoma më shumë në një periudhë të paktën dy vjeçare me mandat kushtetues asistence, trajnimi dhe monitorimi prej tyre!”, theksoi Xhafaj.
Veritas.com.al/