Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë vizitës së tij dyditore në Kinë.

Gjatë një konference për media në Kinë pas takimit me Xi, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Kina ka përsëritur premtimin e saj se nuk do t’i dërgojë Rusisë armë për luftën në Ukrainë, edhe pse ai shprehu shqetësim për veprimet e kompanive private kineze.

“Ne – dhe shtetet e tjera – kemi pranuar siguri nga Kina se nuk po i ofron dhe nuk do t’i ofrojë ndihmë vdekjeprurëse Rusisë, që ajo ta përdorë atë kundër Ukrainës”, tha Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë konferencës për shtyp në Pekin, Kinë, 19 qershor 2023.

Duke folur për vizitën dyditore në Kinë, Blinken tha se është “e qartë” që raportet ndërmjet SHBA-së dhe Kinës janë “të paqëndrueshme” dhe të dyja palët e kanë pranuar se ato duhet të stabilizohen.

Ai tha se është e rëndësishme të hapen linjat e komunikimit, në mënyrë që të adresohen perceptimet dhe llogaritjet e gabuara, duke shtuar se vizitat e zyrtarëve të lartë kinezë në SHBA, dhe atyre amerikanë në Kinë, pritet të ndodhin në javët e ardhshme.

“Përparimi është i vështirë, nuk është produkt i një udhëtimi”, tha Blinken, duke theksuar se vizita dyditore ka qenë një hap pozitiv përpara.

Blinken tha se me zyrtarët kinezë ka pasur “bisedime të forta” për çështjet globale”, duke shtuar se konkurrenca mes Uashingtonit dhe Pekinit kurrë nuk duhet të çojë drejt një konflikti.

Sa i përket çështjes së Tajvanit, Blinken tha se ka ngritur shqetësimet e Uashingtonit lidhur me “veprimet provokuese të Kinës”, por përsëriti qëndrimin se SHBA-ja nuk e mbështet pavarësinë e këtij ishulli vetëqeverisës./ REL/