“351 shtetas nga Ukraina ndodhen tashmë në vendin tonë që pas nisjes së luftës”.
 Është kjo shifra e konfirmuar nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili zhvilloi një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov.

“Aktualisht në Shqipëri po qëndrojnë 351 shtetas nga Ukraina, të cilëve u është dhënë mbrojtja e përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor që ne kemi për azilin. Të tjera masa lehtësuese për hyrjen dhe qëndrimin e tyre do të miratojmë në vijim nëse është e nevojshme, për t’ju gjendur pranë atyre që largohen nga konflikti”.

Në vijim të takimit, ai theksoi edhe një herë qasjen solidare të Shqipërisë për njerëzit që largohen nga vendi i tyre për shkak të konfliktit.

“Shqipëria është një shembull shumë domethënës, kur është fjala te solidariteti dhe pritja e njerëzve në nevojë. E dëshmuam këtë edhe së fundi me afganët që strehuam në vendin tonë dhe po kështu do të bashkërendojmë përpjekjet me vende të tjera të BE-së për t’ju gjendur pranë popullit të Ukrainës në këto kohë të vështira”.

Shtetasit e Ukrainës, që largohen nga vendi i tyre, mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë dhe të qëndrojnë për një periudhë 1-vjeçare pa qenë nevoja të pajisen me leje qëndrimi.