Kryeministri Edi Rama mblodhi sot Komitetin Shtetëror të Rindërtimit, ku ishte e pranishme edhe vetë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Juri Kim.

Kjo e fundit deklaroi se do të jenë krah Shqipërisë dhe se do të monitorojnë të gjithë situatën.

“Shprehim solidaritet me popullin shqiptar dhe japim një investim simbolik dhe real për Shqipërinë. Është një kënaqësi që po organizoheni, për ne është hera e parë si SHBA që ju qëndrojmë afër, por nuk do të jetë hera e fundit. Do të qëndrojmë afër jush për të parë se si do i shpenzoni apo nëse do shpenzohen në mënyrën e duhur donacionet tona”, – tha ambasadorja.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luiggi Soreca deklaroi se çdo proces sa i takon fazës së rindërtimit pas pasojave që u shkaktuan nga tërmeti, do të jetë transparent dhe llogaridhënës.

I pranishëm në takimin e Komitetit Shtetëror të Rindërtimit, Soreca pohoi se Konferenca e Donatorëve i kaloi pritshmëritë për mbledhjen e fondeve prej 1.15 miliard euro, ndërsa shtoi se ka afate kohore që duhen realizuar.

“Është dëshmuar një kujdes i jashtëzakonshëm. Një dashuri ndaj këtij vendi që ne shërbejmë. Ne duhet të ecim përpara. Jemi krenarë që e kemi marrë përsipër për organizimin e një konference të tillë. Na janë dashur shumë përpjekje. Pritshëmritë u tejkaluan nga rezultatet. Pas disa ditësh organizimesh të gjërave, jemi shumë të lumtur të vijojmë me fazën pasardhëse. Ne do të ulemi me kolegët tanë dhe me skuadrën që do të drejtojë këtë projekt, në mënyrë që të gjitha përpjekjet e bëra do të paguhen. Të gjitha projektet do të veprojnë në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse’, tha Soreca

Veritas.com.al/