Më 14 Maj shqiptarët iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun që duan për 4 vitet e ardhshme. Dhe siç e do një garë, dikush fiton e tjetri do humbë.

Në Shqipëri është e vështirë që të pranohet rezultati, megjithatë 4 kandidatë kanë treguar shembull qytetarie dhe kanë pranuar humbjen duke i dhënë dorën kundërshtarëve e duke i uruar për fitoren.

“Këtu është një garë e normalisht që dikush do të fitojë. Unë e uroj me gjithë shpirt. Fushata e numërimit shkoi shumë normal dhe normal që njëri do të fitojë. Të shkoftë mbarë!”, i tha Zef Hila, Shkrelit.

Pastaj radha i takoi kandidatit socialist në Mirditë, Ndrec Dedaj. Ai kandidonte për një mandat të tretë në krye të bashkisë, por më 14 Maj, qytetarët zgjodhën që të përfaqësoheshin me Albert Mëlyshin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Megjithatë, rezultati në favor të kundërshtarit nuk ishte problem aspak për Dedajn që vendimin e sovranit nuk e gjykon dhe mbi të gjitha i uroi suksese Mëlyshit.

“Garova dhe për një rrugëtim tjetër 4 vjeçar pasi kisha projekte e punë të tjera për të kryer, por ju e besuat votën tuaj për kundërshtarin tim në këto zgjedhje Albert Mëlyshin. I uroj Albertit suksese në detyrën e lartë të Kryetarit Bashkisë dhe bëftë më të mirën për Mirditën dhe ju të dashur qytetarët e mijë. Sovrani nuk gjykohet. Mirdita mbi të gjitha”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Edhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Gjirokastër, Dorjan Lani e ka pranuar rezultatin e 14 Majit. Lani i ka uruar suksese Flamur Golemit të PS-së, të cilin gjirokastritët e besuan edhe për një mandat tjetër.

“Në mesazhin tim, i kam uruar të gjitha të mirat dhe suksese në udhëheqjen e qytetit tonë të bukur, rivalit tim. Ne jemi një parti demokratike dhe vlerat tona janë të ndërtuara në bazë të respektimit të vullnetit të sovranit. Në fund të fundit, ndryshe nga garat sportive, në garën politike ka vetëm një fitues. Megjithatë, unë nuk do të ndaloj përpjekjet e mia për të ndihmuar Gjirokastrën dhe qytetarët e saj nëpërmjet punës time dhe angazhimit në shoqërinë civile”, tha Lani.

I fundit që i dha dorën kundërshtarit ditën e djeshme ishte kandidati socialist në Kavajë, Redjan Krali. Ai pranoi humbjen para se të përfundonte numërimi dhe u largua nga ambientet e KZAZ-së.

Por nuk ngurroi aspak që të takonte të gjithë shtabin elektoral të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Në fund i dha dorën kundërshtarit Fisnik Qosja dhe e uroi personalisht për fitoren.