Këtë të martë, 12 maj, u mbajt samiti Shqipëri-Izrael, pasi 40 kompani inovative izraelite kanë ardhur në Tiranë për të garantuar sigurinë kibernetike dhe për të forcuar ekonominë e vendit përmes teknologjisë së fjalës së fundit.
“Sa më shumë e njoh Izraelin, aq më shumë e kuptoj. Faleminderit që keni ardhur e keni sjellë dijen tuaj! Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore si i vetmi vend në Europë që numëronte më shumë hebrenj se para se të niste lufta. Kjo falë myslimanëve të Shqipërisë të cilët morën çdo hebre si vëlla ose motër dhe rrezikuan jetën për ta. Kjo është një histori që unë e shtrëngoj fort. Unë e qeveria imë po bëjmë sa më shumë të jetë e mundur që këtë histori ta rrëfejmë, për mënyrën se si duhet të shfaqemi në botën që jetojmë dhe si duhet të përgatitemi në të ardhmen, jo vetëm me hebrenjtë, por edhe të tjerët”, deklaroi kreu i qeverisë në nisje të fjalës së tij.
Nuk la pa përmendur edhe strehimin e muxhahedinëve. Gjest, që sipas kryeministrit, u pasua me hakmarrje nga regjimi iranian, në sistemet tona kibernetike.
“U bëmë një vend që 95% të shërbimeve i ofrojmë online dhe ata synuan ta shkatërronin këtë, për të na cuar mbrapsht në kohën e errët të shërbimve publike në nivelin më të ulët. Në atë moment, Izraeli na u gjet si mik. Po ashtu miqtë tanë të Emirateve, e kështu i mbijetuam këtij sulmi. Mësuam sidoqoftë se na duhet të investojmë dhe të ndërtojmë një sistem mbrojtjeje”, tha ai.
“Jemi shumë të lumtur që jeni këtu e të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku! Shijojeni ushqimin tonë, mikpritjen tonë! Mos harroni kurrë se Shqipëria për hebrenjtë mbetet shtëpi! Çfarëdo të mendohet për qeverinë tuaj, një gjë është e sigurt, nuk ka antisemitizëm në Shqipëri dhe hebrenjtë janë gjithmonë të mirëpritur”, përfundoi Rama.
Shqipëria renditet në vendin e 9-të në botë për sigurinë kibernetike sipas National Cyber Security Index 2026. Është vlerësuar progresi në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimi i politikave e strategjive kombëtare, si dhe përmirësimi i mekanizmave të koordinimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.
Kujtojmë se në vitin 2022, disa grupe të sofistikuara hakerash mbështetur nga shteti i Iranit sulmuan shërbimet online në Shqipëri. Këto u bënë shkak që qeveria shqiptare të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Iranin duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik.
Sulmet e “Homeland Justice” kanë vijuar edhe ndaj Kuvendit si dhe disa institucioneve të rëndësishme shtetërore në vitin 2023 dhe ndaj INSTAT në vitin 2024. Më të fundit, këtë vit, ndaj sistemit të IT-së së Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa nuk kanë munguar postimet kërcënuese në Telegram.
Komente