Nga: Adriatik Doçi/

71 kandidatë për deputetë dhe kryetarë bashkie, kandidatë për funksione të rëndësishme dhe zyrtarë që kanë aplikuar për rritje në detyrë, kanë rezultuar me dosje si bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit, punonjës të ish Sigurimit dhe anëtarë të strukturave gjykuese në proceset politike të regjimit komunist. Nga viti 2017 deri në fund të vitit 2021, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, i njohur ndryshme si Komisioni i Dosjeve, ka verifikuar 2.189 kandidatë përpara zgjedhjes, emërimit dhe ngritjes në detyrë, nga të cilët

2.118 kanë rezultuar të pastër dhe 71 të lidhur me ish Sigurimin e Shtetit.

Të dhënat reflektohen në raportin veprimtarisë së Komisionit për Hapjen e Dosjes për vitin 2021, ku ka bërë një bilanc edhe të punës 5-vjeçare. Nga 71 personat e identifikuar si të lidhur me ish Sigurimin e Shtetit, 13 tentuan të bëheshin pjesë e kupolës së drejtësisë, konkretisht në SPAK, BKH, KLP, KED, KLGJ, ILD, Prokurori etj. Ndërkaq, 6 persona me dosje në ish Sigurimin e Shtetit kanë aplikuar dhe garuar për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

Sa i takon Kuvendit, deputetët e kanë përjashtuar veten me ligj nga verifikimit. Për deputetët verifikimi është me vullnet të lirë. Për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 vetëm 161 kandidatë nga katër parti politike  kanë paraqitur kërkesën për verifikim. Nga verifikimi, 5 kandidatë kanë rezultuar me lidhje me ish Sigurimin e Shtetit. Komisioni i Dosjeve nuk jep informacion nëse këto 5 kandidatë janë zgjedhur apo jo deputetë, por fakti që vetëm 161 kandidatë kanë kërkuar të verifikohen, nga 1841 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 2021, gjasat janë që në Kuvendit aktual të ketë spiunë dhe anëtarë të ish Sigurimit të Shtetit.