Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive, Kosovë-Shqipëri. Ai ka thënë se rrugëtimi i kryeministrit Albin Kurti, sipas tij si përplasës me perëndimin, po e rrezikon shtetësinë e Kosovës.
Kreu i LDK-së ka shkruar se Kosova aktualisht nuk është ajo që ishte menduar ndonjëherë.
“Rrugëtimi i Kurtit, përplasës me perëndimin, rrezikon vet shtetësinë e Republikës. Në vend se të sillet si një Kryeministër i përgjegjshëm, një që ruan partneritetet e avancon kauzat kombëtare drejt perëndimit, ai sjellë krizë dhe izolim. Aventura e tij politike nuk mund të jetë përfaqësimi ynë popullor”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se Kosovës i duhen miqtë dhe partnerët strategjik.
“Lajmi për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive është lajm i keq për shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri, në Luginë, Maqedoni e Mal të Zi. Kosova fatkeqësisht vazhdon të rrugëtoj drejt izolimit e vetmisë. Këtë herë, si asnjëherë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbesim dhe do të mbesim pa secilin aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë”, ka shkruar ai.
Reagimi i kryetarit të LDK-së vjen pasi u bë e ditur se është anuluar mbledhja e dy qeverive e cila ishte planifikuar të mbahej nesër në Gjakovë.
Anulimi i saj është bërë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një konference të jashtëzakonshme për media ku ka bërë të ditur se i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti një tjetër format takimi.
Ai ka thënë se nuk mund të mbahet takimi i dy qeverive në situatën kur sipas tij “Kosova po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet”.
Pas kësaj konference Qeveria e Kosovës ka deklaruar se mbledhja është anuluar njëanshëm nga Rama.
“Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, ka thënë për KosovaPress, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.
Ai ka deklaruar se pret që një dokument i tillë të çojë dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.
Lidhur me këtë është deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”/