U nënshkrua sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.

Marrëveshja, e cila për palën shqiptare u nënshkrua nga Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, – bashkon vendet në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.

Më herët, gjatë fjalës së tij në Samit, Kryeministri tha se marrëveshja do të shërbejë për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100 % energji të ripërtëritshme.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kkryeministri Edi Rama, Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed, si dhe përfaqësues të qeverive të vendeve përkatëse.

Rama: I shërben paqes në rajon, bëhemi lojtar kyç

Kryeministri Edi Rama falënderoi presidentin e Abu Dhabit, Sheik Muhamed bin Zayed, për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në marrëveshjen trepalëshe me Abu Dhabin dhe Italinë për ndërtimin e një lidhjeje nënujore energjetike përmes Adriatikut, shkruan A2 CNN.

Sipas Ramës, kjo marrëveshje është në vazhdën e transformimit të sektorit energjetik në Shqipëri. “Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është 100% nga burime të ripërtëritëshme. Përqindja e energjisë së përtëritshme të Shqipërisë në kërkesën fundore për energji është 44%. Kjo e vendos Shqipërinë në vendeve kryesore të listës për përqindjen e energjisë së përtëritshme”, tha kryeministri në fjalën e tij në Samitin global “Abu Dhabi Sustainability Week”.

“Ky do të jetë një mjet shumë, shumë i rëndësishëm jo vetëm për transmetimin e energjisë së përtëritëshme nga Shqipëria në Itali, por edhe për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon. Ky hap shumë i rëndësishëm për rajonin dhe për Europën gjithashtu nuk do të kishte qenë i mundur pa bashkëpunimin domethënës me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pa vëmendjen e posaçme të Sheik Mohamed bin Zayed. Dua të theksoj se partneriteti i Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe në sektorin energjetik është shumë i rëndësishëm për një rajon ku shumë luftëra, konflikte e gjakderdhje i kanë dhënë formë të shkuarës sonë dhe dëshira e përbashkët për të qenë pjesë e familjes europiane duhet mbështetur me nisma konkrete dhe hapa konkretë për të kapërcyer të shkuarën. Në këtë drejtim bashkëpunimi që ka nisur ky bashkëpunim synon të zhvillojë deri në 3 GW prodhim të energjisë së ripërtëritshme, për të pasur një rrjet të organizuar në tregun europian. Ky është një kontribut i rëndësishëm jo vetëm për energjinë, por edhe për paqen në rajon”, shtoi Rama.

Meloni entuziaste: Linja nënujore me Shqipërinë hap konkret drejt një ndërlidhje globale

Nga samiti në Abu Dhabi ku do të nënshkruhet edhe marrëveshja trepalëshe mes vendit mikpritës, Shqipërisë dhe Italisë për prodhimin e energjisë së gjelbër, kryeministrja Giorgia Meloni u shpreh entuziazmin për këtë projekt që do t’i hapë rrugë ndërlidhjes së re nënujore të Adriatikut.

“Kjo nismë është një hap konkret drejt një ndërlidhje globale nga Azia në Gji, nga Afrika e Veriut në Europë, e aftë për të furnizuar me energji në mënyrë të dykahshme”, tha Meloni.

Meloni shtoi se falë këtij projekti, një pjesë e energjisë së gjelbër që do të prodhohet në Shqipëri do të eksportohet drejt Italisë përmes kabllove nënujore.

“Jam jashtë mase e gëzuar ashtu siç e shpalli dhe Edi më parë që të nënshkruaj kuadrin e partneritetit strategjik për të nisur një projekt po aq ambicioz midis dy brigjeve të Adriatikut. Lartmadhëria e tij presidentin e Abu Dhabit, Sheik Muhamed bin Zayed dhe kryeministri Edi Rama, dy miq të mirë të mi dhe miq të mirë të Italisë do të marrin pjesë në  nënshkrimin e një angazhim jashtë mase të rëndësishëm për të zbatuar një ndërlidhje të re energjetike për të prodhuar energji të gjelbër në Shqipëri dhe për eksportimin e një pjese të kësaj energjie në Itali përmes një kabulli nënujor përgjatë detit Adriatik. Besojmë fort te ky projekt që përfshinë tre qeveritë tona dhe operatorët tonë private dhe rregullatorët e tregjeve energjetike.”

Ajo po ashtu vendosi theksin te lidhja e fortë e Italisë me Ballkanin Perëndimor dhe për këtë ju referua miqësisë së saj me kryeministrin Edi Rama.

“Italia është e lidhur në mënyrë tradicionale me vendet e Ballkanit Perëndimor siç tregon edhe miqësia ime me kryeministrin Edi Rama. Dhe përgjatë kohës ka sjellë kështu si rezultat projektet në infrastrukturën energjetike. I referohem këtu ndërlidhje energjetike për 430 km përgjatë Adriatikut që lidh Italinë me Malin e Zi dhe me rajonin e Ballkanit që është një infrastrukture energjetike që synojmë ta forcojmë e ta bëjmë edhe më efikase dhe konkurruese. Dhe synojmë të ecim në këtë drejtim ndaj  E dimë që jetojmë në një e[okë posaçërisht komplekse, shënjuar nga transformime vërtet të forta. Tashme kemi një zgjedhje për të bërë ose mund të vuajmë nga këto transformime duke qëndruar pa bërë asgjë apo mund ti interpretojmë ato si mundësi. Besoj fort që duhet të zgjedhim të dytën dhe ta ndjekim me kurajë dhe vizion pa asnjë frikë.”

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *