I ftuari i kësaj të marte në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja në TCH ishte Agron Duka, kreu aktual i Partisë Agrare Ambientaliste dhe ish-ministër i Bujqësisë. Me Dukën është folur për aksionin opozitar, si dhe pozicionin që do të marrin Agrarët në raport me koalicionin opozitar.

I pyetur nëse ka ndonjë qëndrim të ri të PAA-së në raport me opozitën, Duka u shpreh:

“Qëndrimi nuk është shumë i ri, sepse kemi kohë që e kemi marrë, pas një mbledhjeje të Kryesisë së Partisë Agrare Ambientaliste, por që do të marrë formën përfundimtare pas një takimi me Asamblenë e PAA-së më 23 shkurt. Ideja është që ne të mund të dalim edhe vetëm në zgjedhjet lokale, për arsye se na duket sikur po anashkalohet përpjekja e vazhdueshme e partisë sonë, por edhe vullneti i qytetarëve shqiptarë për të përmirësuar sistemin zgjedhor”.

Por a ua lejon sistemi që të bëjnë këtë lëvizje politike?

“Sistemi na penalizon, por në fund të fundit le të bëjmë një peshim të të dyja anëve: ose duhet të konformohemi me të njëjtën rrugë ku dy partitë e mëdha vazhdojnë ta mbajnë peng Reformën Zgjedhore dhe Kodin Zgjedhor, sepse kënaqin orekset e individëve të ndryshëm; ose të bëjmë përpjekje që të japim një mesazh të ri”, tha Duka.

A ka një ofertë politike për PAA-në, brenda opozitës? Flitet për një aleancë me LSI-në…

“Jo, ne nuk kemi kontaktuar me LSI-në për këtë problem. Nuk përjashtohet asgjë, por duket sikur mendimi i anëtarësisë dhe simpatizantëve të PPA-së është që të provojmë forcën tonë. Për shkak të asaj marrëveshjeje të përpara zgjedhjeve parlamentare, ne dolëm me PD-në në aleancë dhe jemi me zero vota, sepse i tillë është Kodi Zgjedhor. Këtë radhë ne mendojmë që të tentojmë të japim një mesazh të ri dhe të masim edhe forcat tona”, u shpreh Agron Duka.

I pyetur një vit më parë, sërish në “Top Talk”, nëse besonte te Lulzim Basha, zoti Duka ishte shprehur me një “po” të prerë. Por pse ky ndryshim qëndrimi tani? A ka ndryshuar Basha, apo kreu i PAA-së në lidhje me lëvizjet brenda opozitës?

“S’ka ndryshuar asgjë. Por nëse kam thënë kështu, kam menduar gjithmonë që Basha të vazhdonte të këmbëngulte në ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe Reformën Zgjedhore, gjë të cilën nuk e bëri. Në intervistat e kohëve të fundit, ai e sheh bardhezi këtë problem dhe thotë se ne nuk mund të bazohemi te ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të fituar zgjedhjet, por të fokusohemi tek aksioni opozitar, protestat, si rrugë e vetme për të shkuar në zgjedhjet lokale të këtij viti pa Edi Ramën si kryeministër. Kjo më duket pak utopike sepse është një metodë e provuar në zgjedhjet parlamentare”, tha Duka.

Sipas tij, alternativa është e thjeshtë. “Duhet alternuar aksioni opozitar përmes protestave, me rrugën parlamentare. Duhet të ndryshojë Kodi Zgjedhor dhe të miratohet Reforma Zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Mund të shkohet në zgjedhje edhe me qeverinë socialiste, por natyrisht nuk jam këtu për të bërë opozitën e opozitës. Nuk e hedh kurrsesi poshtë keqqeverisjen dhe kërkesën e opozitës për zgjedhje pa Edi Ramën kryeministër, me qeveri tranzitore. Por, duket pak utopike dhe e parealizueshme”, shtoi ai.

Ndihet një lloj pakënaqësie në raportet brenda opozitës. Por, a do të jenë agraro-ambientalistët në protestë, më 16 shkurt?

 

“Nuk kam asnjë lloj pakënaqësie, thjesht është ideja që unë e mendoj ndryshe rrugën drejt fitores. Unë mendoj se çdo njeri që merret me politikë duhet të jetë pak idealist, të mos shohë vetëm interesat personale, qoftë edhe të forcës së vet politike. E kam thënë gjithmonë që ky sistem zgjedhor është i përçudnuar, sepse prodhon kryetarë bashkish që nuk e meritojnë, prodhon parlamente e qeveri të deformuara, dhe kemi realitetin e sotëm. Patjetër që do të jem në protestë, sepse unë nuk jam në opozitë me opozitën, por me qeverinë”, deklaroi Duka.

Përballë një telefonate të zotit Edi Rama, që thotë “Zoti Duka, ju ftoj me gjithë partinë tuaj të jeni në koalicion me Partinë Socialiste në zgjedhjet lokale”, çfarë do të bënte kreu i PAA-së?

“Jo, sepse nuk më duket se ka ndryshuar ndonjë gjë nga ajo që kemi pretenduar gjithmonë në marrëdhëniet me mazhorancën. Ajo që na ndan është vazhdimi i Reformës Zgjedhore dhe Kodit Zgjedhor, por edhe ajo që ne përfaqësojmë dhe mbështesim. Ne jemi një parti e çështjeve të bujqësisë, blegtorisë dhe mjedisit, të cilat kanë problematika shumë të majisura. Unë i kam nisur një shkresë zyrtare kryeministrit, ministrit të Bujqësisë dhe atij të Financave, për kompensimin e TVSH-së, që është një kthim mbrapa nga 20% në 6%, që sjell si pasojë rritjen e çmimeve të produkteve të vendit, balancën negative të importit me eksportet dhe mungesën e dëshirës së njerëzve që jetojnë në fshat që të merren me bujqësi”, vijoi më tej Duka.

Duka veçoi heqjen e TVSH-së për inputet bujqësore, për të cilën përshëndet qeverinë.

“Por kjo zerohet, nëse nuk rregullohet skema e kompensimit”, nënvizoi ai, duke theksuar sërish se nuk sheh ndonjë zhvillim pozitiv që ta bëjë atë t’i thotë “po” ftesës së Ramës.

A ekziston, për Dukën, një ankand politik nga partitë e mëdha për partitë e vogla?

“Jo, nuk besoj, sepse Kodi Zgjedhor është i tillë që t’u japë prioritet pikërisht partive të mëdha, ndërsa të voglat i shohin si jo përcaktuese në zgjedhje lokale dhe parlamentare. Për mua i bëjnë llogaritë gabim, sepse në disa nga bashkitë, ku diferencat janë të vogla, ato mund të jenë përcaktuese. Nëse është e vështirë të fitohet Durrësi nga një alternativë si PAA-ja përballë PS dhe PD, atëherë nëse marrim një numër votash prej 5000 apo 10 mijë, padyshim që do të jemi përcaktues për të prishur balancën e një krahu karshi një tjetri”, shpjegoi ai.

Por a e përjashton veten nga një kandidim i mundshëm për Bashkinë e Durrësit, për sa kohë thotë se është e vështirë për PAA-në?

“Unë gjithmonë e kam thënë se nuk kandidoj nëse bëhet oferta nga opozita, sepse gjithmonë kam menduar që ka njerëz me më shumë energji. Ka ardhur koha që të ndryshojë drejtimi i Durrësit për shumë e shumë arsye, për një konsum të tmerrshëm dhe galopant të të majtës në këtë qytet. Nëse ne do të dinim të kalonim në sinergji të gjithë forcën tonë si opozitë dhe të zgjedhim një kandidaturë më të përshtatshme se unë, unë mendoj se mund të fitonte. Por, ajo që më ndan në këto momente me Partinë Demokratike dhe maxhorancën edhe më shumë, është pikërisht indiferenca ndaj Kodit Zgjedhor dhe Reformës Zgjedhore. Në këto kushte, ndoshta duhet rishikuar edhe kandidimi im në Durrës”, thotë Duka.

VERITAS.COM.AL/