
Nga Denis Dyrnjaja
Agron Shehaj kishte bërë një meme dhe e kishte publikuar në adresën e tij personale në rrjetet sociale. Ma nisën kolegë të mi. E pashë memen dhe kuptova se e bezdis e vërteta, i krijon parehati. Në meme diku shfaqesha unë duke thënë se Agron Shehaj ka blerë një parti dhe është vetëshpallur kryetar. Tani më duhet t’i bëj të qartë Agronit çfarë kam parasysh me blerje partie. Por para së të vijmë te ky moment le të bëjmë pak retrospektivë. Më kishin thënë, se Agron Shehaj e ka blerë 500 mijë euro mandatin e deputetit në zgjedhjet e Vitit 2017, si deputet i listës së Vlorës, kur kryetar i PD asokohe ishte Lulzim Basha.
Në fakt kisha një lloj dyzimi për këtë informacion se shuma ishte vërtetë e madhe dhe e dyta se dija kush ishte, nga vinte e çfarë kërkonte në politikë ky tip, se atë kohë emri Agron Shehaj, ishte tërësisht anonim. Por duke ditur që bëheshin pazare të forta, natyrisht edhe me para cash në të zezë për mandatet e deputetëve, pata një lloj ideje se dhe mund ta kishte blerë vërtetë Agroni “vizën politike” në listën e sigurt të PD në Vlorë, për t’u futur në Parlament.
Gjithsesi duke qenë askushi, edhe pse bëri shumë përshtypje vendosja e emrit të tij si kandidat në krye të emrave të listës për qarkun e Vlorës, episodi më kaloi, se shumë ngjarje prodhojnë zgjedhjet dhe prezenca e Agronit në atë listë nuk është se ishte ndodhia më tërheqëse apo tronditëse e kohës dhe momentit. Dhe kjo sigurisht ishte në interesin e tij, sepse për Agronin duhej më shumë pavëmendje se vëmendje atë kohë fillesash në politikë. Në fakt kandidatura kërciste shumë sidomos për një qark si Vlora, se ky njeri nuk thoshte asgjë për PD dhe dinamikën e ngjarjeve të kohës në politikë. Nuk kishte spikatur për asgjë, përveç se ishte mësuar se ishte sipërmarrës privat dhe kishte bërë shumë para me call centre.
Zgjedhjet u bënë, PD humbi, por Agroni fitoi. Kur Agroni deputet filloi të flasë nisi të merrte më shumë peshë idea se vërtetë e kishte blerë mandatin se ç’e kishte fituar, por edhe kjo ishte perceptim i performancave mjerane të komunikimit publik të tij sidomos në Parlament. Të dëgjoje Agronin në seanca plenare, ato pak herë kur fliste ishte një gjendje mikse mes përpjekjeve për të kuptuar çfarë po përpiqet të thotë, sepse nuk i rakordonte fort mendimi me fjalët, ndoshta jo për fajin e tij, por për shkak të mendimit të pakultivuar. Se të gjithë flasin por varet si dhe çfarë thonë. Gjithsesi duke qenë se parlamenti është shndërruar kryesisht në shtëpinë e kokëboshëve, sharlatanëve dhe sigurisht edhe vatër analfabetësh funksionalë, do kishte një copë vend edhe për Agronin që me vetëbesimin që ka çdo aventurier e duke patur plot sivëllezër e simotra të tij që pa pikë vlere, por sigurisht edhe turpi ishin në të njëjtën pozitë si ai, edhe Agroni bindi veten, sipas versionit kur janë këta përse mos te jem dhe unë dhe vazhdoi para me vetëbesim. E kështu plani funksionoi.
Agroni vegjetoi ato vite të para derisa ja mori dorën. Duke thyer komplekset, filloi të shfaqej bazuar mbi logjikën që i padituri, nuk ka gjë për të humbur. Pak nga pak filloi të eksperimentojë për të krijuar kështu edhe Agroni identitetin e tij. Dhe në mandatin e radhës në vitin 2021, se me shumë lekë, a pak lekë, ose dhe pa paguar fare, nuk di të them e nuk dua të spekuloj për këtë, por ai u gjet sërish në listën e sigurt të deputetëve të PD. Dhe kështu filloi të besojë se nuk është rastësisht në Parlament, por se e meriton. E kur krijon këtë bindje brenda vetes, fillon dhe shfaq besim se ti e meriton atë çfarë je dhe atë që ke. Madje pse mos pretendosh më shumë. Pikërisht këtë bëri Agron Shehaj. Filloi të binte sa më shumë në sy, si protagonist me arsyen e paarsyeshme të zërit të lartë, dhe me zërin e lartë që nuk korrespondonte me arsyen. Pra arsyeja, mendimi dhe artikulimi i saktë apo i duhur vijonin në ishin në disrakordancë te Agroni që bërtiste në sallën e parlamentit apo studiot televizive në emër të revoltës dhe indinjatës së padrejtësisë. Populizëm i pastër dhe për hir të së vërtetës jo vetëm i tij.
E vetmja vlerë që mesa duket i dha etiketë publike me të cilën vazhdon të maskojë paditurinë politike dhe ekzistencën në politikë, ishte një lloj edukate vizive për të cilën një kontribut të madh ka dhënë Italia, ku ka jetuar për një kohë të gjatë si emigrant. Duke qenë se parlamenti prej kohësh tashmë është shndërruar në autoshkollë politikanësh dhe Agroni ja mori dorën. Ndërsa vitet kalonin PD pati kontraksionet e saj politike me përplasjet Berisha-Basha, e kështu mesa duket Agroni mendoi e bëri llogari me veten e tij. Me lekë që me lekë ekzistoj në politikë, këto lekë po i përdor e po bëj një parti vetë. Dhe ashtu bëri. Mori zyra me qira gjithandej, gjeti një emër partie, me thënë të drejtën personalisht më pëlqen emri i partisë “Mundësia” se më krijon simbiozë përjetimi me emrat plot shpresë që sheh zakonisht në shërbimet funerale ku sheh një tabelë “Parajsa jemi ne”. Ndërkohë më kanë informuar që për PR politik Agroni paguan shumë, sidomos tani që ka filluar t’i pëlqejë dhe besojë më shumë te vetja.
Ka dhënë goxha para lart e poshtë por do e marrim vesh shifrën e saktë kur të bëhet deklarimi në KQZ, sigurisht jo për ato nën dorë se pastaj quhesh evazor. Dhe në fakt është normale se dhe Agroni ka kuptuar që imponimi i imazhit është gjë e rëndësishme dhe po e bën shumë mirë. Problemi është që partia politike është bashkim vlerash vullnetare, jo monetare. Dhe Agroni në antagonizëm me atë çka është në thelb politika dhe organizimi në një parti politike, ka zgjedhur versionin e dytë dhe kjo nuk krijon vullnetarët, por mercenarët, që të braktisin kur shterojnë lekët, eurot apo dollarët. Pra deshi s’deshi Agroni po e blen mandatin përsëri me aq para sa po harxhon, gjithnjë nëse ia arrin të dalë këtë herë deputet në zgjedhjet e 11 majit. Ndërkohë para së të blejë mandatin bleu partinë. Po unë ja kam thënë publikisht në mënyrë të përsëritur se Agroni ka blerë një parti. Dhe si me ironi në një dalje publike ai më pyeste në mënyrë ironike. Po si e bleva partinë se që të blesh dikush duhet ta shesë. Kur thashë analfabet funksional, kisha parasysh pikërisht këtë gjë, që nuk kupton gjithnjë si duhet dhe çfarë duhet atë që të thonë, thua, ose thuhet e për rrjedhojë shprehesh tjetër për tjetër.
Rasti yt Agron nuk është një shitblerje klasike, si ato që je mësuar të bësh në biznes dhe jo vetëm. Psh nëse ka ndodhur që ti e ke blerë mandatin e parë të deputetit, Basha e shiti ti e bleve. Unë e kuptoj që ti ke këtë parasysh, por unë jo, se nuk e kam as të provuar përveç se më duket edhe pak e ekzagjeruar. Të blesh 500 mijë euro një mandat deputeti. Më duket e pabesueshme. Kurse tani po e besoj se këtë herë ti ke blerë një parti. Ja përse. Sepse investove vetë për gjithçka dhe besoj se të ka shkuar mandati nëse përsëri theksoj do e marrësh apo jo, të paktën nga 200 deri në 300 mijë euro si investim. Ama bashkë me mandatin ke dhe dyqanin tënd me emrin “MUNDËSIA”. Je shpallur vetëkryetar për rrjedhojë edhe vetëpronar dhe po investon fiks si në biznes. Por partia politike nuk është biznes. Është bashkim bindjesh, vullnetesh, ideologjie e qëllimesh.
Tani ti Agron, kryesi partie nuk dimë që ke, kush janë anëtarë, kush është kryetar kryesie, nuk dimë kur u mblodh grupi nismëtar për krijimin e partisë/dyqan, apo asambleja e themelimit. Nuk dimë nëse ke këshill apo kuvend kombëtar, dhe cilët ke anëtarë. Pra partia nuk është ent ilegal, me struktura të panjohura dhe jo publike. Nuk dua të vazhdoj më gjatë se është dhe e kotë të lodh veten dhe publikun me këto pretendime. Doje dhe ti një parti Agron e bëre. Dhe mirë bëre ka vend, ky vend për delirantë, megalomanë, mitomanë, budallenj, idiotë, intrigantë, e gjithëfarëllojesh. Ka vend edhe për ty Agron. Ndaj suksese në hapësirën e idiotëve të dobishëm.
Një gjë ke te mirë, që të tjerët harxhojnë lekët e shtetit dhe popullit për të bere politikë, ti të paktën harxhon lekët e tua. Dhe kjo është e ndershme dhe duhet përshëndetur. Sa për idealizëm dhe demokraci thjeshtë je veçse një kopje e shëmtuar dhe e përsëritur e asaj që prej kohësh në Shqipëri quhet kryetarokraci.
Komente